1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raportet Prishtinë-Beograd

23 Janar 2012

Këtë të hënë ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë në Bruksel mbi raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë në Bruksel ka shkuar për vizitë dy ditore edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiq.

https://p.dw.com/p/13oDR
Catherine Ashton informon të hënën në Bruksel mbi ecurinë e dialogut Prishtinë-Beograd
Catherine Ashton informon të hënën në Bruksel mbi ecurinë e dialogut Prishtinë-BeogradFotografi: dapd

Ndonëse është parashikuar që për kërkesën e Serbisë për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian të bisedohet me 27 Shkurt, pritet që përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtme, Chaterine Ashton të informojë këtë të hënë (23.01) diplomacive europiane mbi ecurinë e dialogut mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit. Kryesia daneze e Këshillit të BE-së bën të ditur se mandati i tyre është shumë i qartë: që të vazhdohet me hapat e procesit të integrimit të Serbisë në BE.

"Danimarka mbështet zgjerimin e BE-së dhe një prej çështjeve më të mëdha me të cilat do të merremi është çështja e Serbisë", pohon Kryeministrja e Danimarkës, Helle Thorning-Schmidt. Danimarka pret që kërkesa e Serbisë për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, të jetë një prej temave, të cilat do të trajtohen gjatë mandatit të saj në krye të Këshillit të BE-së, por jo hapja e negociatave për anëtarësim. Por Danimarka bën shumë të qartë se Serbia duhet të plotësojë kushtet e parashtruara.

Westerwelle takihet me Jeremiqin
Westerwelle takihet me JeremiqinFotografi: Selma Filipovic

Takimi Jeremiq - Westerwelle

Në pritje të raundit të ri të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel po insistohet që të gjendet një formë për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale. Ndërkohë që nga Beogradi kërkohet edhe respektimi dhe zbatimi i plotë i marrëveshjeve të nënshkruara deri tani si dhe mundësimi i funksionimit pa pengesa i misionit të EULEX-it dhe i KFOR-it në Kosovë. Këto janë disa nga kushtet për të cilat insiston edhe Berlini zyrtar. Beogradi duhet të plotësojë këto kushte në qoftë se dëshiron që në Shkurt të marrë dritën jeshile për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Por në Bruksel thuhet se përveç dialogut me Kosovën, Serbia duhet të punojë shumë edhe për kthimin e kredibilitetit tek disa vende anëtare të BE-së, në radhë të parë tek Gjermania dhe Austria. Ndryshe nuk mund të ketë ndonjë përgjigje pozitive.

"Nga ata të cilët pretendojnë të futen në BE presim edhe "angazhime në frymën evropiane", që nënkupton kooperim dhe jo konfrontim. Nga kjo varet edhe mbështetja jonë", pohon Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, i cili në Bruksel do të takohet edhe me homologun e tij serb Vuk Jeremiq, për të trajtuar temat e bashkëpunimit bilateral dhe gjendjen në Kosovë.

Ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt
Ministri i Jashtëm suedez Karl BildtFotografi: AP

Në prag të këtij takimi që mbahet sot (23.01.), Jeremiqi tha se Beogradi dhe Berlini po zhvillojnë një komunikim intensiv dhe po përpiqen të gjejnë "hapësirë të përbashkët". Por kur dihet qëndimi i ngurtë i Berlinit ndaj Beogradit dhe raporteve të tij me Kosovën, pritet që Ministri i Jashtëm serb më shumë "hapësirë të përbashkët" të gjejë në takimin me homologun e tij suedez Carl Bildt, i cili e ka mbështetur hapur kërkesën e Serbisë për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Autor: Marina Maksimoviq/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi