1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e brendshëm të CDU: ndalim i pjesshëm i burkës

sti/jj (dpa, epd)19 Gusht 2016

Ministrat e brendshëm kristiandemokrat të landeve dhe ai i federatës konfirmuan, se synojnë ndalim të pjessshëm të përdorimit të burkës. Lidhur me nënshtetësinë e dyfishtë deri në vitin 2019 nuk do të ndryshojë asgjë.

https://p.dw.com/p/1Jlsh
Berlin Innenministerkonferenz Thomas de Maiziere
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Ministri i Brendshëm Thomas de Maizière dhe kolegët e tij kristiandemokratë në lande ranë dakord për një pozicion të përbashkët lidhur me ndalimin e burkës dhe nënshtetësinë e dyfishtë. Ministrat e brendshëm të unionit konservator CDU dhe CSU (kristiandemokrat dhe kristiansocial)duan që në situata të caktuara të jetës publike të ndalohet mbulimi i plotë i fytyrës. "Ne e refuzojmë mbulimin e plotë të fytyrës", tha de Maizière në Berlin. "Të tregosh fytyrën është konstruktive për bashkëjetesën në shoqërinë tonë." Ai u prononcua pas një konference dy ditore të ministrave të brendshëm të landeve lidhur me temën e sigurisë së brendshme dhe integrimit.

Kudo ku paraqitja e fytyrës ka një funksion, duhet të vlejë ndalimi i përdorimit të perçes: në të gjitha sferat e shërbimeve publike, në kopshtet e fëmijëve, në shkolla, shkolla të larta, në sallat e gjyqit, gjatë kontrolleve të pasaportave, në demonstrata dhe në situata, në të cilat njerëzit duhet të identifikohen. Shkeljet e këtyre rregullave do të trajtohen si kundravajtje, deklaroi ministri Brendshëm i Meklenburg-Pomeranisë Lorenz Caffier.

"Nënshtetësi e dyfishtë vetëm në raste të jashtëzakonshme"

Sa i përklet çështjes së dynënshtetësisë duhet të ruhet rregulli i deritanishëm, por në vitin 2019 ai duhet të verifikohet. Sipas de Maizière linja duhet të jetë: "Normalisht nuk do të lejohet nënshtetësia e dyfishtë, por vetëm në raste të jashtëzakonshme" mund të ketë përjashtim nga ky rregull.

Ministrat e brendshëm kërkojnë edhe rritjen e numrit të punonjësve në polici duke punësuar gjithsej 15.000 policë. Këto vende pune duhet të hapen deri në vitin 2020 në nivel federate dhe në lande. "Ne kemi nevojë për më shumë polici", tha de Maizière. "Jo vetëm në rrugë, por edhe në kompjuter e në radhët e forcave speciale." Forcat e rendit gjithashtu duhet të jenë të pajisura më mirë. Eshtë e paqartë, nëse pjesë të rregullave të reja mund të miratohen brenda kësaj periudhe legjislative.

Ministri i Brendshëm javën e kaluar paraqiti një paketë me masa sigurie si reagim pas sulmeve të fundit në Bavari. Ai synon shtimin e personelit në autoritetet e sigurisë dhe pajisjen më të mirë teknike, por gjithashtu parashikon edhe ashpërsimin e ligjeve të sigurisë dhe rregulla më të ashpra ndaj të huajve dhe refugjatëve me rekorde penale.