1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Miku im, pushtuesi digjital"

SHBA-ja përgjon në mënyrë masive. Ajo, që bie në sy, është se përgjohen pikërisht miqtë e aleatët e saj. Gjermania duhet të mbrohet kundër pushtimit digjital, komenton Volker Wagener.

default

Uashington 1972. Në kuartierin qendror të Partisë Demokrate kryhet një grabitje. Mandatuesit e grabitjes vijnë nga qarqet e Richard Nixonit, presidentit të SHBA-së. Tentativa kriminale, për të mësuar më shumë mbi strategjinë e luftës elektorale të kundërshtarit politik, i kushtoi pak kohë më pas postin presidentit republikan. Watergate qysh atëherë ka mbetur si një damkë turpi në kulturën politike të SHBA-së. Prej rreth katër dekadash ky term shërben si sinonim për prapësitë politike.

Shtetet nuk kanë miq, por interesa

Jo rastësisht marrëzia e përgjimeve të NSA-së në Berlin shumë shpejt ka marrë një emërtim: tani bëhet fjalë për Handy-Gate. Por kush dëshiron ta krahasojë ndërhyrjen në botën e komunikimit mobil të kancelares me Watergate? Në parim ky krahasim është legjitim. Llambat e dorës dhe levat e hekurit nuk janë më të nevojshme për të marrë informacionin në epokën digjitale. Rrugët e përftimit të informacionit janë të tjera, por qëllimi është i njëjtë.

Volker Wagener

Volker Wagener

Amerikanët bëjnë, ç'është e mundur, edhe pse kjo është e paligjshme dhe e pamoralshme. Këtë e thonë ata vetë për vetveten dhe pretendimin e tyre për pushtet. Parë nga ky këndvështrim Barack Obama është në radhë të parë përfaqësues i interesave të vendit të vet. E nga ky këndvështrim e sheh ai botën. Po ashtu si edhe Charles de Gaulle, ish-presidenti i Francës, i cili dikur më mënyrë konçize pat theksuar: shtetet nuk kanë miq, por interesa.

E interesat e Uashingtonit janë gjithmonë globale. Nëse është e vërtetë kjo, atëherë SHBA-ja ka rreth 80 qendra përgjimi në mbarë botën, prej 19 syresh në Europë, dy ndodhen në Gjermani: në Berlin dhe në Frankfurt, në qendrën financiare dhe atë bankare të republikës. E kjo nuk është një zonë, për të cilën përgjimi mund të shpjegohet në plan të parë me luftën kundër terrorit. Më shumë kjo të lë të kuptosh se qëllimi është përftimi i i të dhënave nga qarqet e nivelit të lartë të financave. Një gjë e tillë është pabesi.

Pëgjimi ndër miq është abuzim me pushtetin

Gjermania i detyrohet mjaft SHBA-së. Ne ndër të tjera demokracinë e kemi marrë dhuratë edhe prej tyre, sidoqoftë ne nuk e kemi fituar vetë atë. Madje edhe falë planit Marshall Gjermania u bë ajo, që është qysh prej dekadash: një gjigant ekonomik. Në këtë sfond historik republika e vjetër e Bonit e më pas edhe Gjermania e bashkuar me qendër Berlinin asnjëherë nuk është emancipuar si duhet në aspektin politik prej Uashingtonit.

Ne kemi qenë pothuajse gjithmonë të reshtuar pa asnjë mëdyshje krah vëllait të madh. Jo-ja e Gerhard Schrëderit kundër luftës në Irak ishte një përjashtim në historinë bashkëkohore. Afera e përgjimeve është një shans për një ndryshim të mëtejshëm. Pikërisht sepse miqësia gjermano-amerikane konsiderohet si veçanërisht intensive dhe e pathyeshme, reagimi i Berlinit duhet të prekë një terren të ri, si në ton ashtu edhe në vepra.

Raste për një kundërshtim të vetëdijshëm gjerman ka. Bisedimet për marrëveshjen e tregtisë së lirë në kuadër të BE-së dhe nisma e përbashkët gjermano-braziliane për arritjen e një rezolute të OKB-së kundër SHBA-së. Çfarëdo që të dalë në fund, mesazhi duhet të jetë: kupa është mbushur. Nëse Uashingtoni tani gati 70 vjet pas luftës dhe 23 vjet pas bashkimit të Gjermanisë sillet si një pushtues digjital, atëherë ka ardhur koha që të shtrohet çështja e miqësisë.