1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Migrantët dhe Brexit: çfarë pritet nga samiti i BE

BE vendos në një samit të posaçëm piketat për negociatat e Brexitit. Fati i shtetasve të BE në Britaninë e Madhe ka rëndësi të veçantë për unionin. Material i përgatitur si sfond për bisedën me partnerin e DW, News24.

Tronditja dhe pasiguria fillestare të shkaktuara në BE nga vendimi britanik për Brexit-in, tani  po pasohet nga shtrëngimi i radhëve. Në prag të samitit të posaçëm të së shtunës (29.04.2017) për Brexit-in në Bruksel, kancelarja gjermane Angela Merkel lëvdoi unitetin. Para Bundestagut gjerman ajo tha se të gjitha shtetet i janë përmbajtur linjës së Brukselit: asnjë marrëveshje individuale për të ardhmen me britanikët, pa u sqaruar modalitetet e ndarjes. Pra, pa u sqaruar se çdo të thotë konkretisht në praktikë dalja e Britanisë nga BE.

Kancelarja Merkel tha në Bundestag se negociatat e vërteta me Londrën do të nisin pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, në Britaninë e Madhe. Kurse në Britaninë e Madhe thonë se negociatat e vërteta me BE do të nisin pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, në vjeshtë. Në këtë mënyrë, me zgjedhjet parlamentare para vetes, deklaratat e Berlinit dhe të Londrës për Brexitin u drejtohen edhe opinionit të brendshëm publik në të dyja vendet. Thirrja e Kancelares Merkel, që disa në Britaninë e Madhe t'i braktisin "iluzionet" se jashtë BE do të jenë po kaq mirë sa brenda BE, u prit me duartrokitje në Bundestag. Tronditja e BE nga vendimi britanik për Brexit pasohet tani nga vendosmëria gjermane për ta mbrojtur BE.

Merkel paraqet para Bundestagut qendrimin gjerman për Brexit-in

Merkel paraqet para Bundestagut qendrimin gjerman për Brexit-in.

Aleancë kundër Britanisë së Madhe?

Kryeministrja britanike Theresa May iu referua menjëherë deklaratës gjermane duke u përpjekur ta shfrytëzojë për synimet e saj. Në një fjalim në Leeds, May tha se po krijohet një aleancë kundër vendit të saj. Ajo u bëri thirrje bashkëkombasve që të përgatiten për "negociata të vështira". Sipas May-t negociata të tilla ka para vetes Mbretëria e Bashkuar, siç mund të kuptohet nga kërkesa e Kancelares gjermane që disa britanikë t'i braktisin iluzionet. "27 shtetet e tjera po krijojnë aleancë kundër nesh" tha May. Ajo që May nuk e tha, por që nënkuptohej, ishte apeli ndaj zgjedhësve të saj: më mbështesni mua në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që t'i japim përgjigjen e duhur BE.

Një deklaratë deri diku e kuptueshme e konservatores britanike, pasi Partia opozitare Laburiste ka deklaruar këto ditë se Brexiti nuk është temë me përparësi për të. Vetë mediet britanike e akuzojnë kryetarin e partisë laburiste, Jeremy Corbyn se nuk i kupton njerëzit. Më rehat ai ndihet me udhëheqësit revolucionarë të Amerikës Latine se në Britaninë e Madhe, shkruhet në medie për të.

Zhdërvjelltësi britanike për migrantët

Për një temë të ndieshme për Evropën, po përvijohet lëvizje në marrëdhënien Bruksel-Londër: për fatin e shtetasve të Bashkimit Evropian që jetojnë në Britaninë e Madhe. Janë 3,2 milionë qytetarë të BE, që jetojnë në Britaninë e Madhe. Numri i shtetasve gjermanë është rreth 100.000 vetë, u bë e ditur në Bundestagun Gjerman. Ndërsa shtete si Polonia, fuqia më e madhe e BE në Lindje, dhe Hungaria kanë me miliona shtetas të tyre, që jetojnë e punojnë prej vitesh në Mbretërinë e Bashkuar. Brukseli kërkon tani që fati i shtetasve të BE në Britaninë e Madhe të sqarohet me përparësi, deri në fund të vitit 2017. Kur këta shtetas kanë jetuar dhe punuar prej pesë vjetësh në Britaninë e Madhe, atyre duhet t'u jepet qëndrim i përhershëm, kërkon BE. Si shkëmbim, Bashkimi Evropian ofron të njëjtin trajtim edhe për 1,2 milionë britanikët që jetojnë në BE.

Londra ka sinjalizuar në këtë pikë zhdërvjelltësi. Në shtypin britanik përshëndetej këto ditë gatishmëria e Downing Street për të lejuar, edhe pas Brexitit, një periudhë tranzitore qëndrimi në Britani për migrantët evropianë. Nëse kjo periudhë tranzitore do të kthehet në përfundimtare për kategori të caktuara migrantësh, kjo pritet të shihet në negociata. Por Londra gjithsesi ka sinjalizuar se për shumë vjet pas Brexitit, një numër i madh migrantësh evropianë mund të qendrojnë në Britaninë e Madhe.

May në Leeds: Po krijohet aleancë kundër nesh

May në Leeds: Po krijohet aleancë kundër nesh

May është e interesuar që të dërgojë para zgjedhjeve sinjale pozitive tek të gjitha shtresat e britanikëve. Britanikët me origjinë migranti ajo nuk i ka me vete. May njihej për qëndrimin e saj joliberal ndaj migrantëve, që kur ishte ministre e Brendshme në qeverinë e Cameronit.

Britanikët jo të gëzuar për zgjedhjet

Në tërësi britanikët nuk kanë arsye të jenë të lumtur që po shkojnë sërish në zgjedhje parlamentare. Shumicës së njerëzve këto zgjedhje nuk u sjellin gjë. Ata e kanë të qartë se, në kushtet aktuale, zgjedhjet synojnë vetëm të përmirësojnë pozitën e Mayt në Parlament. Edhe në partinë e saj May ka mjaft skeptikë, që ruajnë kujtimin se May qe proevropiane në referendumin e Brexitit. Ata May mund t'i neutralizojë vetëm duke shtuar mandatet në Parlament.

Tema përparësore në negociata janë edhe detyrimet financiare britanike ndaj BE dhe caktimi i kufirit të ardhshëm midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës. Por në fillim janë njerëzit. "Njerëzit, financat dhe Irlanda", këto duhen sqaruar të parat ka deklaruar Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Linjat e tjera të negociatave të Brukselit me Londrën tashmë janë të ditura. Të shtunën (29.04.2017) ato pritet të vendosen edhe formalisht: BE kërkon që Britania të shkëputet jo në mënyrë kaotike, por me procedura të rregullta nga bashkësia. Kjo do të shmangte pasiguri tek të dyja palët. Edhe pas Brexitit BE e dëshiron Britaninë e Madhe "partnere të ngushtë".

Dakordimi me britanikët nuk do të kërkohet me çdo çmim: në Bruksel do të  përgatiten edhe për rastin e dështimit të negociatave me Londrën. Evropianët e kanë bërë të qartë: Britania e Madhe nuk mund të ketë akses vetëm në një pjesë të tregut të brendshëm të BE, aty ku i intereson. Lirinë e lëvizjes të njerëzve, të mallrave, të shërbimeve dhe të kapitalit në tregun e brendshëm të Brukseli - dhe së fundi edhe Londra - i shohin të pandara.