070610 Migration und Rechtspopulismus
8 Qershor 2010Migracioni është veçanërisht problematik në ato vende, të cilat për një kohë të gjatë e kanë mohuar se janë vende të migracionit, për shkak se nuk janë marrë asnjëherë seriozisht me integrimin e të huajve.
Nuk ka asnjë shkak që emigracioni të jetë nxitje për partitë e djathta populiste. Në vendet, në të cilat ka pak emigrantë, shpesh shkalla e përhapjes së populizmit të djathtë është më e lartë se atje, ku jetojnë më shumë emigrantë, thotë Dr. Andreas Zick, studiues në Institutin për studimet ndërdisiplinore për konfliktin dhe dhunën në Universitetin e Bielefeldit:
"Pra ne shohim për shembull që në Poloni dhe Hungari populizmi i djathtë është jashtëzakonisht i fortë."
Populizmi i theksuar në vendet me pak kontakte ndërkulturore.
Po ashtu shembulli i partisë "Vlaams Belang" (Interesat e flamandëve) në Belgjikë tregon që armiqësia ndaj të huajve ndesh në një tokë shumë pjellore aty, ku ka pak kontakte në mes të vendorëve dhe njerëzve të ardhur:
"Në të vërtetë suksesi në publik për partinë "Interesat flamande" shtohet në rajonet, ku jetojnë relativisht pak emigrantë. Në rajonet e tjera, ku jetojnë shumë emigrantë, suksesi i populizmit të djathtë nuk është shumë i madh."
Po ashtu edhe në Zvicër përvojat janë të ngjashme, thotë historiani Damir Skenderovic nga Fribourgu:
"Gjatë nismës kundër minareve shkalla më e lartë e refuzimit të minareve ishte në rajonet, ku nuk jetojnë myslimanët."
Dhe në të kaluarën jo shumë të largët në Zvicër është dëshmuar po ashtu se: "Kur migracioni ishte në shkallën më të ulët, në mes të luftërave debati për të huajt ishte më intensivi."
Anetta Kahane, kryetare e Kryesisë së Fondacionit Amadeu-Antonio, i cili angazhohet kundër dhunës raciste, sqaron:
"Nuk është e nevojshme prania e emigrantëve për të qenë racist."
Por lëvizjet populiste prekin me kënaqësi probleme, të cilat lulëzojnë nga migracioni. Kështu që ata shfrytëzojnë frikën sociale, sqaron hulumtuesi Andreas Zick:
"Ne shohim që popullariteti rritet atje, ku partitë dhe grupet politike prekin nevojat dhe frikërat e njerëzve, siç është frika nga papunësia. Emigracioni mund të ketë pasoja fatale në mentalitetin e popullatës dhe të perceptohet si kërcënim, nëse konsiderohet si jolegjitim, si i padëshirueshëm."
Përshtatje dhe jo barazi shansesh
Dhe kjo paraqitet posaçërisht atje, ku shoqëritë e emigracionit kanë dështuar me politikën e tyre të integrimit, siç është rasti në shumë vende të Evropës Perëndimore. Kahane përmend si shembull emigrantët myslimanë. Ndryshe prej Evropës në vendet klasike të migracionit ,si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo në Australi, kemi një shtresë krejt tjetër, të integruar më mirë të emigrantëve myslimanë:
"Myslimanët, që migrojnë në këto vende, e bëjnë me një synim krejt tjetër nga ai që e bëjnë këtu. Natyrisht që edhe ky është emigracion pune, por është një migracion, që e merr këtë rrugë për t'u bërë pjesë e kësaj shoqërie dhe pastaj ndeshen edhe me presionin, që ushtron shoqëria ndaj tyre, që ata ta shohin këtë si shans dhe ta kuptojnë atë drejt. Këta janë njerëz, që duan të bëjnë karrierë."
Punëtorët sezonalë integrohen më keq se bashkëqytetarët e rinj
Kush vjen si emigrant nga Afrika e Veriut, Turqia, apo vendet arabe në Evropë ka një rrugë relativisht të shkurtër prapa vetes, sqaron Kahane:
"Dhe njerëzit kanë një motiv tjetër. Ata duan të jenë aty, të qëndrojnë aty dhe të lihen të qetë. Këtë nuk e duan njerëzit, që shkojnë në vendet tradicionale për migrim, atje ata duan të shkojnë shpejt përpara."
Shoqëritë e vendeve të Evropës Perëndimore kanë kontribuar vetë për një kohë të gjatë, që përpjekjet për integrimin e emigrantëve tani të ngecin në vend, thotë historiani Skenderovic:
"Emigrantët janë konsideruar si punëtorë sezonalë, apo mysafirë dhe pohimi se ne jemi me të vërtetë një shoqëri migracioni dhe se një pjesë e zhvillimit ekonomik vjen nga migracioni është diskutuar më gjerësisht vetëm në dhjetë vitet e fundit."
Autor: Fabian Schmidt/Esat Ahmeti
Redaktoi: Angjelina Verbica