1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mes presionit të tregut dhe politikës - gazetarët në ish- Jugosllavi

Bahri Cani13 Shkurt 2009

Gazetarët dhe gazetaria pas viteve 90-të janë keqpërdorur në masë për qëllime lufte dhe nxitjen e urrejtjes midis popujve të ish - Jugosllavisë. Po me cilat probleme ndeshen mediat e atjeshme aktualisht?

https://p.dw.com/p/Gtni
Pamje simbolikeFotografi: AP

Kur baroni Münchausen kishte rënë në baltovinë, thuhet se nuk i kishte mbetur zgjidhje tjetër veçse ta kapte veten për flokësh dhe së bashku me kalin të dilte nga balta. Në mënyrë metaforike, profesori i gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Mirolub Radojkoviq përpiqet ta shpjegojë gjendjen e mediave sot në Serbi.

Radojkoviq: "Si vende në tranzicion, neve na mësojnë se nuk duhet të ketë media shtetërore dhe se mediat janë më të mira, më të lira dhe kualitative, kur jetojnë nga tregu. Me siguri që kjo është e vërtetë, por kur shkoni në Serbi dhe e shihni se në çfarë kushtesh punojnë gazetarët, atëherë pohimet e mëparshme janë të pabaza. Mendoj se gazetarët janë viktimë shumë më e madhe e tranzicionit se sa elita politike apo profesionet tjera, të cilat në këto periudha edhe mund të pasurohen."

Vështirësitë e gazetarëve në Serbi

Profesori Radojkoviq shpjegon se në Serbi botohen 12 gazeta ditore, por të gjitha së bashku shesin më pak ekzemplarë se sa, për shembull, e përditshmja gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Asnjë gazetë në Serbi nuk është në gjendje që të sigurojë më shumë se 20 % të mjeteve nga reklamat, ndërkohë që çmimi i një gazete është rreth 30 cent. Situatë e ngjashme është edhe në mediat elektronike, ku kohët e fundit janë licencuar për transmetim mbi 475 televizione dhe radio. Vetëm shtatë prej tyre transmetojnë në tërë territorin e Serbisë. Përveç Radio Televizionit publik të Serbisë, të gjitha të tjerat synojnë të jetojnë nga reklamat, ndërkohë kulaçi i reklamave gjatë vitit të kaluar ishte vetëm 160 milionë euro.

Gebäude Radio Television Serbia
Radio Televizioni SerbFotografi: Radio Televison Serbia/RTS

Radojkoviq: "Këto janë shkaqet pse mediat nuk mund të punësojnë gazetarë të mirë. Prandaj shumë prej tyre shpejt kalojnë në gazetari bulevardeske dhe sensacionaliste, ndërsa gazetarët janë të korruptuar dhe të frustruar. Në sondazhet e fundit, më shumë se 50 % e gazetarëve kanë deklaruar se fëmijës së tyre kurrë nuk do t'i lejonin të merret me këtë profesion."

Gjendja e gazetarëve në Bosnje - Hercegovinë

Amer Xhihana, koordinator i Qendrës mediatike në Bosnje - Hercegovinë, thotë se kushtet e gazetarëve në vendin e tij janë edhe më të rënda. "Për fat të keq, në Bosnje - Hercegovinë, ende nuk janë tejkaluar pasojat e luftës. Përveç varfërisë së ngjashme si në Serbi, ne kemi edhe problemin e ndarjes së tregut në vija etnike. Në një treg të vogël, kemi një numër shumë të madh mediash, që luftojnë për një kulaç edhe më të vogël reklamash dhe i drejtohen vetëm një bashkësie etnike, sepse të pakta janë mediat që i drejtohen të gjthë popujve atje." Xhihana përmend edhe një specifikë tjetër të Bosnje - Hercegovinës. Prezenca e bashkësisë ndërkombëtare ka mundësuar aty nxjerrjen e ligjeve, sipas standardeve më të larta evropiane. Ironike për Xhihanën është se shpesh flitet për ligjet më të mira në botë, por ato shpesh nuk zbatohen në tërësi. "Do të thotë se kemi mbetur në gjysmë të rrugës."

SFOR Pressezentrum
Qendra e dikurshme e shtypit, SFOR. Specifikë e Bosnjes - prezenca e bashkësisë ndërkombëtareFotografi: DW

Presionet politike ndaj mediave

Por çfarë po ndodh me largimin e përfaqësuesve të bashkësia ndërkombëtare, në Bosnje-Hercegovinë? Xhihana thotë se po kthehen presionet dhe janë shpeshtuar sulmet kundër gazetarëve, me synim vendosjen e kontrollit mbi media.

Presione politike ndaj mediave ka edhe në Serbi, shpjegon profesori Radojkoviq. "Ka ndryshuar vetëm forma, ndërsa esenca ka mbetur e njëjtë. Asnjë pushtet në Serbi nuk ka hequr dorë nga kontrolli i mediave kryesore. Kjo vlen për Radio Televizionin e Serbisë, gazetën Politika dhe mediat tjera të rëndsishme. Partitë politike ushqejnë mediat me informacione, dokumente dhe të dhëna që komprometojnë kundërshtarin politik. Këtë e bën edhe pala tjetër, ndërkohë që gazetarët komprometohen dhe shndërrohen në shërbëtorë, përdoren si figura shahu."

Raportime me ngjyrime etnike

Për fat të keq, raportimi i ngjyrosur etnik për gazetarët në Bosnje - Hercegovinë, është gati i vetëkuptueshëm, thekson Amer Xhihana. "Në mediat elektronike ekziston një rregull më i mirë, se sa në mediat e shkruara, ku edhe më tej ekziston gjuha e urrejtjes. Situata nuk mund të krahasohet me kohën e lutës, por edhe më tej axhendat politike të entiteteve janë edhe axhendat e gazetave dhe gazetarëve. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kemi bërë një hulumtim ku shihet se gazeta serbe, "Nezavisne Novine" ka pasur qëndrime të njëjta me politikanët serbë. Ndërsa gazeta bosnjake "Dnevni Avaz", ka raportuar krej ndryshe. Sikur të lexoje vetëm këto dy gazeta, do të fitoje përshtypjen se fjala është për dy ngjarje krejt të ndryshme."

Sa prezente është gjuha e urrejtjes në mediat e Serbisë?

Sipas Radojkoviq nuk vazhdon koha e mëparshme e shovinizmit, kur një program politik zbatohej pa kurfarë kufizimesh. Në një shoqëri pluraliste, në media mund të deklarohen shovinistët, evropianët apo kosmopolitët. "Por kjo na pengon për faktin se Serbia ka paguar një çmim të tmerrshëm, i cili nuk duhet të përsëritet kurrë. Megjithatë, gjuha e urrejtjes sot në Serbi është drejtuar më shumë kundër pakicave tjera, si për shembull me orientime të ndryshme seksuale, e më pak kundër grupeve etnike."