1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkeli, Zoti dhe burkini

Në botë gjithnjë e më shumë njerëz po shtypen për shkak të fesë. Ky është konkluzioni i konferencës ndërkombëtare të parlamentarëve, zhvilluar në Berlin. Në ç'drejtim po ecën Gjermania? Kancelarja paralajmëron.

Gjermania debaton lidhur me mbulimin e plotë të grave myslimane. A duhet të ndalohen në jetën publike veshja e nikabit dhe burkinit? Çfarë do të arrihej me këtë? A do ta nxiste integrimin apo ndalimi do të shërbente si një pilulë qetësuese për popullsinë, që në sfondin e qindra mijëra refugjatëve - shumica myslimanë - po ndihet gjithnjë e më shumë në siklet.

Kancelarja tërheq vëmendjen për të qenë të matur në këtë diskutim. "Edhe pse ndonjë qendrim i motivuar nga religjoni ne na duket i huaj, ne duhet të kemi vazhdimisht parasysh vlerën e lartë të lirisë së religjonit", tha Angela Merkel në konferencën ndërkombëtare të parlamentarëve në Berlin. Bashkë me të tjera të drejta të lirisë të përcaktuara në ligjin themelor, liria fetare bën pjesë në "thelbin e asaj, që përbën vendin dhe të asaj që për ne është e dashur dhe e çmuar."

E njëjta gjë vlen edhe sa u përket normave të veshjes. Të drejtat e lirisë bazohen edhe tek liria e të qenit ndryshe, nga sa dëshiron apo përfytyron shumica", argumenton kancelarja. Ndonëse ajo "personalisht e konsideron si një pengesë të madhe për integrimin mbulimin e plotë", kufizime mund të ketë vetëm nëse me këtë cënohen të tjera të drejta themelore: të drejtat e tjetrit ose parimi i neutralitetit shtetëror kundrejt religjoneve. Ndaj ajo bazohet tek "rregulla precize për ato sektorë, në të cilat mbulimi i plotë nuk është i domosdoshëm", tha Merkel më tej - si p.sh. në shërbimet publike apo në gjykata.

Shtypje në vend të lirisë

Liria e besimit në mbarë botën nuk është në nivelin e duhur. E kjo pavarësisht, se ndërkohë 170 shtete kanë ratifikuar Kartën përkatëse të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. "Kjo e drejtë përfshin edhe lirinë, për ta ndryshuar fenë ose bindjen, si dhe lirinë për ta ushtruar vetëm apo në bashkësi religjonin apo botëkuptimin, ta pranosh publikisht ose privatisht atë përmes mësimit, ushtrimit, shërbesave fetare dhe aktiviteve kulturore", thuhet në nenin 18 të kësaj karte.

"Dikur ishte rregull, që liria e besimit influencohej prej qeverive, pra palës politike", thotë Volker Kauder, kryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestag: "Sot liria e religjonit kufizohet në mënyrë masive edhe me dhunë kryesisht atje ku shteti nuk funksionon më ose nuk është i gatshëm të angazhohet për lirinë fetare." Kjo ndodh në përgjithësi në pjesë të Afrikës dhe të Azisë.

Deputeti i CDU-së Heribert Hirte flet për lirinë e fesë: Ndërkohë ka ndryshuar këndvështrimi. "Nuk janë më të prekur vetëm të krishterë, ndonëse në numër ata ende vazhdojnë të jenë grupi më i madh."

Politikani i CDU-së është anëtar i "International Panel of Parliamentarians for Freedom of Religion or Belief", i themeluar para dy vjetësh si një rrjet i pavarur në Oslo. Hebrenjtë, budistët, hinduistët, myslimanët, jesidët, të gjitha konfesionet fetare janë bashkuar në këtë grup. Gjithsej në konferencë në Berlin morën pjesë mbi 100 deputetë nga rreth 80 vende. Kjo ishte konferenca e dytë ndërkombëtare e këtij lloji. Parlamentarët shprehën dëshirën të angazhohen. Ata shkruajnë letra paralajmëruese në adresë të qeverive dhe vizitojnë vende, në të cilat është e rrezikuar liria fetare.

Nga Berlini konferenca do të dërgojë letra në Sudan dhe Mianmar. Në këtë shtet aziatik që nga viti 1982 myslimanëve dhe të krishterëve sistematikisht u hiqet nënshtetësia, duke i detyruar ata që të dëshmojnë pemën gjenealogjike të familjes deri në vitin 1823. Kush nuk mund ta paraqesë këtë, nuk merr pasaportë.

Budistët nuk duhet të përmbushin detyra të tilla. Sulmet e dhunshme kundër minoriteteve fetare janë shtuar dukshëm vitet e kaluara. vënë në dukje U Shwe Maung, një ish-deputet i parlamentit të Mianmarit. Si mysliman ai nuk ka më të drejta në vendin e tij.