Merkeli mbron politikën e saj përballë kritikave
25 Gusht 2011Kancelarja Merkel hedh poshtë kritikën e ish-kancelarit Kohl
Kancelarja Angela Merkel (CDU) e hodhi poshtë e përmbajtur, por e qartë në përmbajtje kritikën e ashpër të ish-kancelarit Helmut Kohl (CDU) se politikës së jashtme gjermane i mungon busulla. "Meritat e Helmut Kohlit si kancelar i ribashkimit gjerman dhe i bashkimit të Evropës janë të paçmueshme", i tha Merkeli numrit të së enjtes të gazetës «Süddeutsche Zeitung». Por kryetarja e CDU-së shtoi se "çdo kohë ka sfidat e saj specifike. Qeveria kristjane-liberale punon që t'i përballojë me vendosmëri sfidat me partnerët tanë në Evropë dhe në botë."
Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle (FDP) u shpreh në mënyrë të ngjashme të mërkurën në mbrëmje në kanalin televiziv ZDF. Ai tha se nuk mund të bëhet fjalë për një ndryshim kursi në politikën e jashtme:"Për ne nuk është vendimtare që të kujdesemi vetëm për partneritete të vjetra, për thellimin e miqësive, por në botën e shekullit të 21-të është e rëndësishme që t'i marrim seriozisht qendrat e reja të fuqisë në botë dhe që të ndërtojmë partneritete të reja strategjike. Ky nuk është ndryshim kursi, ky nuk është as harrimi i kursit tonë ose i busullës sonë, por pranimi i thjeshtë i një kohe të re".
Westerwelle shtoi se si një vend eksportues, që jeton nga bashkëveprimi ndërkombëtar, Gjermania duhet të farkëtojë partneritete strategjike edhe me këto qendra të reja force. Kështu i kundërshtoi ministri i Jashtëm gjerman fjalët e ish-kancelarit Kohl, i cili e qeverisi Gjermaninë nga viti 1982 deri më 1998.
Helmut Kohl: Qeverisë aktuale i mungon busulla politike
Përsa i përket kritikës së Kohlit për abstenimin në KS të OKB-së në lidhje me angazhimin e Natos në Libi, ministri i Jashtëm tha se Gjermania preferoi masa politike, të cilat nuk duhen nënvleftësuar. Shprehimisht e mbështeti Westerwelle kritikën e Kohlit për zbutjen e Paktit të Stabilitetit të Euros.
Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së Herman Gröhe i kundërshtoi gjithashtu tezat e Kohlit dhe tha se partneriteti transatlantik, bashkimi i Evropës dhe miqësia gjermano-franceze përcaktojnë edhe sot veprimtarinë e qeverisë së Angela Merkelit. Këto ai i tha për gazetën "Die Welt".
Pa e përmendur me emër kancelaren, Kohli u ankua në një intervistë dhënë dje revistës "Politika Ndërkombëtare" se qeverisë i mungon busulla politike. Në mënyrë indirekte ai e kritikoi Merkelin edhe që nuk ka dëshirë të udhëheqë dhe organizojë. 81 vjeçari kritikoi fërkimet në marrëdhëniet me SHBA. Heqjen e shërbimit të detyruar ushtarak ai e quajti gabim. Qeverinë e socialdemokratëve dhe të Të Gjelbërve Kohli e kritikoi që bëri gabim kur e pranoi Greqinë në eurozonë. Megjithatë, ai kërkoi tani solidaritet me Greqinë dhe për shpëtimin e euros.
Autor: Auron Dodi / dpa
Redaktoi: Esat Ahmeti