1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli kërkon nga Rumania luftë më të fortë kundër korrupsionit

Eliana Xhani (dpa, afp, rtr)11 Qershor 2013

Prej vitesh Rumania nuk po ecën përpara si duhet në reduktimin e korrupsionit. Kjo temë delikate e ndoqi kryeministrin rumun Ponta edhe në vizitën e tij të parë zyrtare në Berlin. Kancelarja Merkel kërkoi përparime.

https://p.dw.com/p/18nTI
Kancelarja Angela Merkel (CDU) priti të hënën 10.06.2013kryeministrin rumun Victor Ponta.
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi nga kryeministri rumun Victor Ponta premtime obliguese për forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit. "Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit" në Rumani, tha Merkel të hënën në mbrëmje (10.6.), pasi priti në Pontën në Kancelarinë në Berlin.

Rumania i premtoi Gjermanisë dhe partnerëve të tjerë në BE qendrim të vendosur kundër korrupsionit dhe më shumë angazhim në forcimin e shtetit ligjor. Ponta tha se pas krizës politike, sociale dhe ekonomike, në vendin e tij tashmë mbizotëron stabilitetit. Një Rumani e fortë dhe me stabilitet mund të jetë një partner i rëndësishëm për Gjermaninë dhe BE-në në kufirin lindor të Bashkimit Evropian. Vendi i tij është shumë i vendosur për krijimin e kushteve të mira dhe të besueshme për investime të sigurta, tha Ponta.

Merkel premton ndihmë

Merkel foli për zgjerim të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. "Në këtë drejtim mund të bëhet më shumë", theksoi kancelarja. Gjermania dëshëron të jetë një partnere e rëndësishme në zhvillimin e mëtejshëm të vendit. "Për ekonominë gjermane janë veçanërisht të rëndësishme shteti ligjor, luftimi i korrupsionit, respektimi i rregullave ligjore dhe një nivel sa më i lartë transparence", thë kancelarja. Këto janë parakushte për investime të mëtejshme të firmave gjermane në Rumani.

Megjithëse anëtare e BE-së, për shkak të deficiteve në drejtësi, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar, Rumania duhet t'i nënshtrohet rregullisht shqyrtimit të përparimeve nga Komisioni i BE-së.

Qendrim i ashpër kundër "imigrantëve të varfërisë"?

Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich të premten (7.6.) pati njoftuar një qendrim të rreptë ndaj imigrantëve të varfërisë nga Rumania. Në të ardhmen abuzimi me ndihmat sociale do të ndëshkohet me dëbim nga Gjermania dhe ndalim rihyrjeje në Republikën Federale.

Në prag të vizitës së tij në Berlin, kryeministri rumun Ponta kishte theksuar se nuk pret rritje të ndjeshme të emigracionit pas 2014-s, kur për rumunët do të vlejë liria e plotë lëvizjes në BE. "Nuk do të ketë valë të mëdha migrantësh rumunë pune në Evropën Perëndimore", tha ai. Pjesa më e madhe e rumunëve që donin të vinin në Gjermani, kanë ardhur tashmë, theksoi Ponta. Ata janë të rinj me kualifikim të mirë, që punojnë shumë dhe paguajnë taksa.

Lidhur me frikën e rritjes së imigracionit të varfërisë nga romë rumunë, Ponta tha: "Nëse Gjermania synon të luftojë me ligje të reja abuzimin me sistemin social, kjo është legjitime." Por nuk duhet të ketë diskriminim të rumunëve kundrejt qytetarëve nga vende të tjera evropiane, theksoi kryeministri rumun.