1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkeli jep dritë të gjelbër për martesën e homoseksualëve dhe lesbikeve

Burrë e grua mish e thua - ky proverb me sa duket së shpejti duhet të modifikohet. Kancelarja Merkel shprehet pro martesës së homoseksualëve dhe lesbikeve.

Në Gjermani nuk lejohet martesa e homoseksualëve dhe e lesbikeve, por vetëm regjistrimi si partnerë me të drejta të barabarta si një çift i martuar. Kancelarja Merkel si dhe partitë konservatore gjermane CDU dhe CSU kanë qenë kundër martesës për homoseksualët dhe lezbiket dhe ishte shprehur se për këtë do të diskutohej pas zgjedhjeve parlamentare. Por tani papritur ajo ndryshoi mendim. Me gjysmë zemre ajo vendosi që në Bundestagun gjerman të votohet ndoshta brenda kësaj  jave për martesën e homoseksualëve dhe të lesbikeve.

Si ndodhi kjo kthesë në mendësinë e Angela Merkelit? Sipas komentatorit të Deutsche Welles, Gero Schließ, këtë gjë Merkeli e bën thjesht për arsye taktike për të vazhduar mbajtjen e pushtetit.

Merkel heq dorë nga rezistenca

Një grup deputetësh homoseksualë nga radhët e partive konservatore kishte kërkuar prej kohësh që të lejohet martesa e homoseksualëve dhe e lesbikeve. Po kancelarja Merkel ishte kundër kësaj. Në vitin 2013 ajo qe shprehur gjatë fushatës elektorale se e ka të vështirë ta pranojë njohjen e partneritetit mes një çifti homoseksual si të barabartë me martesën e një çifti burrë e grua.

Tani që një radhë partish, si Liberalët (FDP), të Gjelbrit, e Majta dhe socialdemokratët (SPD) e përfshinë këtë temë në fushatën elektorale, dhe disa syresh, si të Gjelbrit, e bënë çështjen e lejimit të martesës së homoseksualëve dhe të lesbikeve edhe si kusht për koalicion, kancelarja vendosi të ndryshojë qëndrim. Ajo deklaroi se çdo deputet duhet të votojë për këtë çështje sipas mendimit dhe ndërgjegjes së tij dhe jo sipas vullnetit të partisë që përfaqëson.

Martesa e homoseksualëve dhe e lesbikeve pritet pra të bëhet së shpejti e lejueshme në Gjermani, sepse të Gjelbrit kanë qenë dakord me këtë që në vitin 2005, SPD-ja dhe E Majta u shprehën pro në vitin 2011 dhe FDP-ja në vitin 2012. Pavarësisht motiveve të kancelares Merkel që e bën këtë hap për arsye se do të ruaj pushtetin, komuniteti LGBT në Gjermani është i gëzuar dhe ky është një lajm i mirë për ta.