1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: Të miratohet buxheti i BE-së

AG/Ahmeti21 Shkurt 2013

Në një deklaratë qeveritare në Bundestag, Merkel u bëri thirrje deputetëve të Parlamentit Evorpian që të përqëndrohen më tepër në atë që i bashkon e jo në atë që i ndan.

https://p.dw.com/p/17iok
lFotografi: Reuters

Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje Parlamentit Evropian të miratojë kompromisin e negociuar me shumë mund për buxhetin afatmesëm të Bashkimit Evropian. Në një deklaratë qeveritare në Bundestagun gjerman, politikanja e CDU-së u bëri thirrje deputetëve në Bruksel që të përqëndrohen më tepër në atë që i bashkon e jo në atë që i ndan. Korniza financiare për vitet 2014-2020 mundëson më shumë konkurrencë dhe stabilizimin e qëndrueshëm të euros. Ajo është po ashtu një sinjal i qartë për rritje dhe punësim. Parlamenti Evropian refuzon kompromisin e arritur në samitin e BE-së. Pa miratimin e deputetëve të BE-së marrëveshja do të jetë e pavlefshme.

Kryetarët e shteteve anëtare të BE-së kishin rënë dakord në fillim të shkurtit me propozimin e shefit të samitit, Herman Van Rompuy, që parashikon që detyrimet për planin financiar të BE-së të jenë 960 miliardë euro. Komisioni Evropian kishte kërkuar për vitet 2014 deri 2020 një buxhet prej mbi një bilion euro, që ishte refuzuar si shumë i lartë nga një numër i madh shtetesh.

Parlamenti Evropian
Parlamenti EvropianFotografi: Picture-alliance/dpa

Tani sytë janë drejtuar tek Parlamenti Evropian

Për herë të parë në historinë e kornizave financiare shumëvjeçare, siç quhen zyrtarisht buxhetet shtatëvjeçare, kërkohet miratimi i parlamentit. Dhe kryetari i tij Martin Schulz ka bërë fare të qartë se nuk do ta lejojnë të jenë vetëm ata që aprovojnë vendimet e marra. Deri tani pjesa më e madhe e deputeteve thuajse nga të gjitha partitë nuk duan të pranojnë shkurtimet e buxhetit dhe deficitet e tjera. Parlamenti ka në dorë një gjë të madhe. Në qoftë se nuk bihet dakord, buxheti i vitit 2013 do të vazhdohet çdo vit, madje edhe me kompensimin për inflacionin. Atëherë nuk do të kishte shkurtime. Prandaj shtetet anëtare janë shumë të interesuara të bashkëpunojnë me parlamentin. Kjo mund të ndodhë me elementet e fleksibilitetit, me qëllim që fondet buxhetore të mund ta lëvizin mes viteve buxhetore dhe sektoreve të fondeve buxhetore.