1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: Evropa nuk ka kohë për faza reflektimi

Anila Shuka/ Berlin19 Qershor 2008

Në prag të samitit të BE-së kancelarja gjermane Angela Merkel ka theksuar nevojën e ratifikimit të të marrëveshjes së Lisbonës

https://p.dw.com/p/EMkF
Angla Merkel në parlamentin gjermanFotografi: AP

Jo-ja e irlandezëve ndaj marrëveshjes së Lisbonës do të jetë në qendër të vëmendjes së takimit të nivelit të lartë të BE-së sot dhe nesër (19.06./20.06.)në Bruksel. Në një fjalim të mbajtur para parlamentit gjerman, Merkel nënvizoi nga njëra anë domosdoshmërinë e unitetit brenda BE-së por shtoi në anën tjetër se nuk ka më kohë për pauza reflektuese.

Angela Merkeli nuk mund të thoshte se si do të zhvillohet debati sot në mbrëmje në Bruksel, kur ajo, gjatë një darke pune, së bashku me homologët e saj nga vendet antare të BE-së do të dëgjojnë sqarimet e kryeminsitrit irlandez e do të diskutojnë për fatin e marrëveshjes së Lisbonës. Por ajo di se cili është qendrimi i saj në këtë çështje: "Së pari, Evropa nuk ka më kohë për pauza reflektimi. Këshilli i BE-së duhet të marrë një vendim të menjëhershëm ... . Së dyti, Evropa nuk mund të bëjë më pazare me secilin vend. Këtë duhet ta dinë të gjithë, por sigurisht që ne duhet të dëgjojmë se ç'thonë irlandezët", tha kancelarja gjermane e cila do të takohet vetë personalisht me kryeministrin Cohen. Por shtoi ajo, duhet t'ua lëmë në dorë vetë irlandezëve të gjejnë një mënyrë për t'u rikthyer në procesin e Lisbonës.

Me fjalë të tjera: Procesi i ratifikimit duhet të vazhdojë gjithsesi, sepse kancelarja gjermane ëshët e bindur "se nuk mund të arrihet një paketë më e mirë reformash për më shumë demokraci dhe shtet ligjor, se ajo e Lisbonës."

Merkel hodhi poshtë idenë e "një Evrope me dy shpejtësi" në të cilën 27 anëtarët do të ecnin me shpejtësi të ndryshme drejt koordinimit të reformave në politikë dhe ekonomi. Ajo tha se uniteti në bashkimin Evropian nuk është një qëllim në vetvete por me një vlerë të jashtëzakonshme.

Marrëveshja e Lisbonës u arrit në dhjetor të vitit të kaluar, si pasardhëse e dokumentit kornizë për Kushtetutën evropiane, ratifikimi i të cilit dështoi mbas dy referendumeve në Francë dhe Holandë në mesin e 2005-ës. Mbas një pauze reflektimi në vitin në fillim të vitit 2007 Gjermania, asokohe kryetare e radhës së BE-së i rifilloi përpjekjet për hartimin e një dokumenti të përbashkët bazë për BE/në, e cila u kurorëzua në dokumentin e Lisbonës. Deri tani marrëveshja e Libsonës është ratifikuar nga 17 parlamente, mes tyre edhe ai gjerman. Irlanda, vendi i parë që organizoi një referendum për këtë çështje dështoi. Mosratifikimi i marrëveshjes së Lisbonës do të vinte në rrezik organizimin e zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së, të cilat janë parashikuar të zhvillohen në qershor të 2009.