Merkel premton angazhimin e Gjermanisë për ruajtjen e paqes në Ballkan
28 Nëntor 2007"Evropa ka një detyrë të veçantë në Kosovë. Gjithë bota shikon nga ne," tha Angela Merkel paradite gjatë debatit për miratimin e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm. Merkel falënderoi diplomatin gjerman, Volfgang Ishinger (Wolfgang Ischinger), për përpjekjet e tij për arritjen e një zgjidhjeje konsensuale dhe apeloi tek palët që të sillen me përgjegjshmëri për stabilitetin e gjithë Evropës. Merkel tha se edhe në të ardhmen do të jetë i nevojshëm angazhimi i ushtrisë gjermane (Bundeswehr) në kuadër të NATO-s:
"Do t'i kontrollojmë vazhdimisht bazat ligjore për këtë mision, në se rezultati i negociatave nuk do të jetë ai që shpresojmë", premtoi Merkel para parlamentarëve.
Kancelarja gjermane premtoi se në takimet e ardhshme të Këshillit të Bashkimit Evropian ajo do të përpiqet së bashku me ministrin e jashtëm Frank Valter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier) që të bëhet ç'është e mundur që të çohen përpara arritjet e deritanishme në Ballkanin Perëndimor.