1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel dhe Trump - takim i shpejtë apo pritje e gjatë?

Edhe pas marrjes së postit, presidenti i ri amerikan, Donald Trump shkakton nervozitet dhe pasiguri në politikën gjermane. Shumë politikanë kërkojnë që Merkel të takohet sa më shpejt me Donald Trump.

Pas ardhjes në post të presidentit amerikan, Donald Trump, e shqetësimeve që kanë shkaktuar deklaratat e tij për NATO-n dhe BE-në, nga radhët e koalicionit qeveritar dhe opozitës në Gjermani kërkohet që kancelarja gjermane Angela Merkel të zhvillojë një takim të shpejtë me presidentin amerikan, Donald Trump. Për këtë nuk ka asnjë datë zyrtare ende, por qeveria gjermane po merr kontakte me Trump dhe ekipin e tij, vëren agjencia e lajmeve dpa në një analizë të saj. „Kemi të gjitha kontaktet që mund të kemi në këtë fazë shumë shumë të hershme të administratës së re", tha të hënën edhe zëdhënësi i kancelares, Steffen Seibert, por ai nuk dha asnjë afat kohor, se kur mund të takohet Merkel me Trump. Ndërkohë që është bërë e ditur se ketë javë Trump do të takohet me kryeministren britanike, Theresa May në Uashington, e cila është shprehur se do të përpiqet për „një lidhje speciale" me SHBA.

Paraqitje me vetëbesim

Edhe politikani socialdemokrat gjerman, Nils Ahnen thotë se Merkel duhet të takohet me Trump, por nuk ka pse të rendë pas tij. "Ne jemi vend i fortë, prandaj mund të paraqitemi me vetësiguri e ta bëjmë të qartë, se nuk do të lejojmë që Trump ta përçajë BE.” Ndërsa kreu i partisë liberale, Christian Lindner u shpreh se „pres që kancelarja gjermane të takohet shpejt, më së miri të udhëtojë që këtë javë në Uashington, për të folur me Trump". Sipas kreut të liberalëve, Trump ka nevojë të përballet me dikë në Europë, që nuk lejon të kalojë menjëherë në defensivë. „Merkel është i vetmi personalitet lider europian”, të cilin me sa duket njeh Trump. "Kjo duhet shfrytëzuar”.

Me fjalimin e tij radikal të premten me betimin si president, Donald Trump i shkatërroi shpresat në anën tjetër të Atlantikut, se si president ai do të ndjekë një kurs tjetër nga ai i fushatës zgjedhore presidenciale, që u zhvillua shumë e ashpër në SHBA. Presidenti amerikan bëri të qartë, se në qendër të veprimit të tij politik do të jenë interesat amerikane. Por më shumë shqetësim shkaktoi paraqitja e parë publike e zëdhënësit të tij të shtypit, i cili u shpreh „se do të japin llogari" mediat për raportimin lidhur me numrin e vizitorëve në betimin e presidentit amerikan. Kreu i fraksionit konservator në Bundestag, Volker Kauder e cilësoi këtë „si një deklaratë të papërfytyrueshme". „Liria e mediave është një e mirë kulturore e civilizimit perëndimor, e cila duhet nderuar gjithmonë edhe kur mund të zemërohesh për ndonjë raportim të caktuar". Ndërsa kryetarja e partisë së Gjelbër, Simone Peter e cilësoi fjalimin e Trump si fjalim „me polemikë e paragjykime".