1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Merkel dhe Schulz - duet jo duel!

Pas takimt të vetëm televiziv mes Merkelit dhe Schulzit një gjë u bë e qartë: ju lutem mos bëni sërish koalicion të madh qeverisës! Kështu mendon komentatori Christoph Strack.

Ky nuk ishte duel. Nuk kishte aspak shkëmbim replikash. I ashtuquajturi "Dueli televiziv" i organizuar nga televizionet më të mëdha në Gjermani, i pesti me radhë, ishte mbase më i dobëti që nga premiera në vitin 2002. Kjo do të thotë shumë për politikën gjermane dhe televizionet gjermane.

Bisedë jo duel

Angela Merkel kundër (më saktësisht së bashku me) Martin Schulzin. Biseda televizive - e partnerëve në koalicionin qeveritar - e dy kandidatëve për kancelar së bashku me katër gazetarë mbeti një bisedë pa publik. Jo vetëm në studion Adlershof para portave të Berlinit.

Për gjendjen sociale në Gjermani, ku ka probleme pavarësisht bumin ekonomik, nuk u fol thuajse fare. Nuk u fol për përkeqësimin e gjendjes së shumë familjeve, sfidat dhe shanset e digjitalizimit, globalizimin, për vendet e punës si dhe për arsimin.

Në vend të këtyre temave, u bë një analizë mjaft e gjatë e ardhjes së refugjatëve në vitin 2015 dhe integrimit të tyre. Sigurisht që politikanët duhet të përballen me këto vështirësi, që ekzistojnë në shumë vende. Por këtu u përball populizmi me pedantizmin e  punës së përditshme politike.

Strack Christoph Kommentarbild App

Christoph Strack

Disa aspekte të politikës së jashtme nuk ishin fare me vend. E para: politika ndaj Turqisë. Të dy politikanët, shefja e CDU-së dhe shefi i SPD-së, paralajmëruan ndryshimin e kursit. Nuk ka më negociata për një union doganor, nuk ka më negociata për anëtarësimin e Turqisë në BE. SPD ka dashur një kohë të gjatë që të mbajë të hapur perspektivën e anëtarësimit të Turqisë në BE, ndërsa Unioni donte ta pengonte disi. Ndërsa kundrejt autokratit në Ankara, i cili ka filluar të marrë pengje gjermane, tani politika gjermane po ndyshon qartë.

E dyta: shkallëzimi aktual i gjendjes në Korenë e Veriut, e cila në rastin më të keq mund të çojë në luftë, ishte një temë ku Merkel dhe Schulz shfrytëzuan shumë mirë përvojën e tyre diplomatike dhe folën për bisedimet telefonike me Moskën, Pekinin, Tokion, Seulin dhe Uashingtonin.

E treta: Merkel dhe Schulz mendojnë keq për mbajtjen e Kampionatit Botëror në futboll në vitin 2022 në Katar. Kaq mendime të qarta dëgjohen rrallë. Por ata duhet t'i kujtojnë këto fjalë sërish kur politikanët udhëtojnë herën e ardhëshme së bashku me ekonomistët atje.

Koalicioni i madh - jo faleminderit!

Nëse 97 minutat e kësaj mbrëmjeje kanë treguar diçka, atëherë ato kanë treguar se Gjermania nuk ka nevojë më për një koalicion të madh. Ju lutem jo! Dy partitë e mëdha janë kaherë së bashku, shumë gjatë. Edhe biseda televizive tregoi se ata ia dinë njëri-tjetrit të gjitha. Demokracia ka nevojë për një qeveri të fortë. Por demokracia ka nevojë edhe për një opozitë të fortë. Ndërsa dueli pa opozitë nuk çon askund. Kjo u dëshmua edhe njëherë.

Në Gjermani kemi parë vetëm njëherë në vitin 2005 një duel të vërtetë. Kështu edhe duhet të jetë - sepse sistemi politik gjerman është një demokraci e dëshmuar parlamentare dhe jo presidencia (Trumpi është ngritur përmes dueleve të shumta televizive). Sistemi gjerman i njeh zgjedhjet e partive politike, jo të shefit të qeverisë. Ndërsa demokracitë parlamentare nënkuptojnë edhe hartimin e programit qeverisës dhe të drejtën e fjalës së opozitës. Miliona shikues para ekraneve televizive nuk kanë dëgjuar thuajse asgjë për këto gjëra.