1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel dhe Sarkozy propozojnë krijimin e një qeverie ekonomike evropiane

17 Gusht 2011

Në kohën e krizës se thellë të borxheve, presidenti i Francës Sarkozy dhe kancelarja Merkel debatuan hapat që duhet ndërmarrë. Ata deklaruan se kanë rëndë dakord për disa masa të rëndësishme për tejkalimin e krizës.

https://p.dw.com/p/12I0f
Merkel dhe Sarkozy para gazetarëve
Merkel dhe Sarkozy para gazetarëveFotografi: picture alliance/dpa

Për presidentin e Francës Nicolas Sarkozy ishte shumë e rëndësishme që kancelarja gjermane Angela Merkel të shkonte në Paris, me qëllim që para opinionit të prezantohet si një politikan i cili të gjitha gjërat ende i ka nën kontroll. Franca ka përjetuar kohët e fundit disa goditje, për shkak të turbulencave në bursa.

Francezët më shumë i besojnë kancelares gjermane se presidentit të tyre

Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy
Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy demonstrojnë unitetFotografi: picture alliance/dpa

Në sondazhet e fundit thuhet madje se populli francez në këto kohëra krize ka më shumë besim tek kancelarja Angela Merkel se sa tek presidenti i tyre Nicolas Syrkozy. Kjo shihet edhe nga epitetet që i jepeshin këtij takimi: Francezët flisnin për një samit krize, ndërkohë që në Gjermani ai quhej si një takim përgatitor për propozimet që duhet të paraqiten në Bruksel. Megjithatë edhe kancelarja Merkel bëri të qartë se situata është serioze.

"Ne po përgatitemi që euron të forcojmë dhe zhvillojmë edhe më tej - që për Gjermaninë dhe Francën është një obligim absolut. Është shumë e qartë që për një sukses të tillë duhet të bëhet edhe një ndërlidhje më e fuqishme e politikës financiare dhe ekonomike. Përgjegjësia e Gjermanisë dhe Francës është që ato të demonstrojnë një qëndrim të përbashkët. Propozimet tona kanë për synim që me veprime konkrete të sigurojnë besimin e tregjeve", theksoi Merkel.

Ulja e borxheve obligim me prioritet

Kancelarja gjermane shtoi se të gjitha vendet e zonës së euros duhet të marrin përgjegjësinë e tyre dhe në dokumentet më të rëndësishme juridike të fusin obligimin për frenimin e borxheve.

Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel.
Kjo është zgjidhja më e mirë...Fotografi: picture alliance/dpa

"Gjermania dhe Franca kanë rënë dakord, dhe këtë ua propozojmë edhe vendeve tjera anëtare të zonës së euros, që në kushtetutë apo në dokuemntet tjera, të fusim rregullin që presidenti Syrkozy e ka quajtur si një "rregull të artë", ndërsa ne në Gjermani i themi frenim i borxheve. Kjo nuk është çështje e ndonjë shumice të përditshme politike, por një rregull që duhet të jetë parimi më i rëndësishëm që duhet respektuar", tha kancelarja gjermane.

Qeveria ekonomike evropiane

Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy kanë rënë dakord edhe për krijimin e një qeverie të përbashkët ekonomike në zonën e euros. Kjo qeveri do të përkujdesej për zhvillimet ekonomike në këtë zonë dhe qëndrueshmërinë e monedhës së përbashkët. Merkel dhe Sarkozy kanë rëndë dakord edhe për personin i cili duhet të udhëheqë këtë "qeveri të vërtetë të zonës së euros".

Herman Van Rompuy
...Herman Van RompuyFotografi: dapd

"Propozimi ynë është që ky të jetë Herman Van Rompuy", bëri të ditur presidenti Syrkozy. Ai theksoi se qeveria e ardhshme ekonomike, që do të përbëhej nga Këshilli i BE-së, presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare, do të duhej të takohej të paktën dy herë në vit, e nëse është e domosdoshme edhe më shpesh. Kjo qeveri duhet të ketë një udhëheqës, i cili do të zgjidhej me një mandat prej dy vjet e gjysëm. "Zonja Merkel dhe unë propozojmë që ky të jetë Herman Van Rompuy", theksoi Sarkozy.

Ndonëse mediat kanë spekuluar shumë për mundësinë që në këtë takim të flitet edhe për bonot evropiane, zyrtarisht kjo temë nuk ishte në rend dite. Se çfarë është biseduar jozyrtarisht, krerët e dy shteteve që aktualisht konsiderohen si motorët ekonomik të zonës së euros, nuk bëhet e ditur.

Autor: Bahri Cani /dw/agenturen

Redkatoi: Esat Ahmeti