1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Menaxhimi i integruar i pikëkalimeve kufitare

Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti25 Shtator 2012

Bashkimi Evropian merr sot (25.9.) një letër me të cilën Republika e Serbisë konfirmon protokollin teknik për menaxhimin e integruar të pikave kufitare në Kosovë, si dhe gatishmërinë për zbatimin e atij protokolli.

https://p.dw.com/p/16DfO
Fotografi: picture-alliance/dpa

Duke përshëndetur dje (24.9.) nënshkrimin e protokollit për menaxhimin e integruar të pikave kufitare si një shenjë të gatishmërisë së qeverisë së re serbe që t'i kthehet dialogut me Prishtinën, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve reciproke, komisioneri i Zgjerimit Stefan Füle, sipas Beogradit, në fakt paralajmëroi atë që pritet të ndodhë zyrtarisht sot (25.9.). Shefi i ri i ekipit negociues të Beogradit në dialogun teknik me Prishtinën, Dejan Paviçeviq sot duhet të dorëzojë një letër në Bruksel përmes së cilës konfirmohet se Serbia pranon detyrimet që rrjedhin nga protokolli teknik mbi kontrollin e integruar të pikëkalimeve kufitare midis Serbisë dhe Kosovës: "Është nënshkruar një letër dhe ka patur një shkëmbim të letrave me Bashkimin Evropian, por jo me Prishtinën dhe nuk kishte nënshkrim të drejtpërdrejtë të vetë protokollit. Qeveria serbe nuk ka ndërmend të zhvillojë ndonjë proces jotransparent apo të fshehtë. Të gjitha ato për të cilat është rënë dakord deri tani ne do t'i publikojmë dhe do të vazhdojmë me informimin e publikut në lidhje me çdo gjë", tha Paviçeviq pas mbërritjes në Bruksel.

A ka hapësirë për "kushte më të mira" për Beogradin?

Shefi i ri i ekipit negociues të Beogradit në dialogun teknik me Prishtinën, Dejan Paviçeviq.
Shefi i ri i ekipit negociues të Beogradit në dialogun teknik me Prishtinën, Dejan Paviçeviq.Fotografi: DW

Kryenegociatori i ri i Beogradit kujton se strategjia e qeverisë së re serbe është përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare, dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani në dialogun me Kosovën. Poashtu këtu bën pjesë edhe vazhdimi i i dialogut në nivel më të lartë politik. Kur bëhet fjalë për marrëveshjen konkrete për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve, Paviçeviq, thotë se me këtë shkëmbim të letrave ajo ka hyrë në një proces të gjatë të implementimit teknik. "Doganierët e rinj nuk do të shfaqen që nesër, apo pikëkalimet ose kushedi se çka. Ne hyjmë në një proces të bisedimeve se si do të vazhdojmë më tej dhe kjo do të marrë ca kohë", tha Paviçeviq.

Pala e Beogradit do të përpiqet që gjatë bisedimeve teknike të grupeve për zbatimin e marrëveshjeve të vijë deri tek përmirësimi i vendimeve për ato gjëra që për Serbinë janë "shumë të pafavorshme". Çështja e parë është prania e doganierëve të Kosovës, sidomos në vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak. Qëllimi i Beogradit është që të përcaktohet qartë roli i EULEX-it në vendkalimet kufitare, që misioni i BE-së të ketë një rol ekzekutiv në kalimet në veri, ndoshta vetëm me praninë e zyrtarëve të doganave të Kosovës. BE-ja si një prioritet kyç për përparimin e Serbisë në procesin e integrimeve evropiane ka vendosur përparimin në marrëdhëniet me Kosovën, duke përfshirë edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.