Megjithë pjesëmarrjen e ulët zgjedhjet cilësohen legjitime
18 Nëntor 2007Procesi zgjedhor në Kosovë u cilësua i sukseshëm, nuk u shënuan parregullsi dhe incidente. Mirëpo pjesëmarrja e votuesve nuk ishte e kënaqshme. Nga të dhënat paraprake të KQZ-ve, njoftohet se pjesëmarrja në votime ishte afro 45 përqind. Në këtë shifër nuk janë përfshirë votat me kusht dhe votat e dhëna nga jashtë Kosovës, numërimi i të cilave po vazhdon.
Rezultate priten gjatë ditës
Rezultatet paraprake të fituesve të zgjedhjeve pritet të jepen gjatë ditën nga KQZ-të, ndërkohë që gjatë gjithë natës partitë politike, secila në mënyrën e vet, manipulonin me rezultatet. Një rrjet i organizatave joqeveritare "Demokracia në veprim", që vëzhgoi zgjedhjet, pas mesnate shpalli rezultatet paraprake, të cilat natyrisht nuk janë zyrtare. Sipas "Demkracisë në veprim", PDK-ja e udhëhequr nga Hashim Thaqi, prin në nivel të Kosovës. Atë e pason LDK-ja. Partia e tretë radhitet AKR- e pasuar nga LDD dhe AAK-së. Nëse ky do të jetë edhe rezultati real i zgjedhjeve, atëherë befasia është e njëjtë me zgjedhjet e shkuara, rënia shumë e madhe e LDK-së, një ngritje e vogël e PDK-së dhe rënditja si partia e tretë në Kosovë e AKR-së, e udhëhequr nga biznesmeni kosovar, Behxhet Pacolli. Hashim Thaçi, një orë pas mesnate ju drejtua simpatizantëve duke shpallur fitoren e partisë së tij, rezultate këto që u kundërshtuan nga LDK-ja.
Organizatorët të kënaqur me mbarëvajtjen
Sidoqoftë, organizatorët e zgjedhjeve të 17 nëntorit dhe krerët e administratës ndërkombëtare janë të kënaqur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, mirëpo u pa qartë nga deklarimet e tyre se nuk janë të kënaqur me pjesëmarrjen në votime. Shkaku kryesor sipas tyre, ishin kushtet e këqija atmosferike, moti i ftohtë me borë e shi që mbretëroi gjatë gjithë ditës së 17 nëntorit. Megjithë pjsemarrjen e ulët në votime, zgjedhjet cilësohen legjitime.
Pjesëmarrja e serbëve nën 1 përqind
Shumë dëshpëruese për organizatorët e zgjedhjeve ishte pjesëmarrja shumë shumë e ulët në zgjedhje e pjesëtarëve të komunitetit serb. Nëse flitet me shifra në nivel të Kosovës llogaritet se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje ishte nën një përqind. Shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker, tha se bojkotimi i zgjedhjeve nga ana e serbëve të Kosovës ishte pasojë e thirrjeve të autoriteteve të Beogradit, të cilat kërkuan nga serbët e Kosovës që mos të dalin në zgjedhje. Pjesëtarët e komunitetit serb në pjesën veriore të Kosovës, penguan madje procesin zgjedhor duke kundërshtuar që në objektet publike të hapen qendrat e votimit. Organizatorët e zgjedhjeve angazhuan qendra lëvizëse të votimit, mirëpo as kjo formë nuk pati sukses.
Zgjedhjet të qeta dhe demokratike
Zgjedhjet u mbikqyrën nga mijëra vëzhgues vendor dhe ndërkombëtarë. 150 vëzhgues ishin nga Këshilli i Evropës dhe sipas tyre, zgjedhjet në Kosovë janë cilësuar të jenë zhvilluar në një atmosferë të qetë, demokratike dhe pa probleme. Rikujtojmë se në zgjedhjet e 17 nëntorit garuan 97 subjekte politike. U votua për deputetët për parlamentin e Kosovës, për asambletë komunale dhe drejpërdrejtë për kryetarët e komunave. Më herët këto zgjedhje u vlerësuan se mund të ishin të komplikuara, për shkak se duhej të votohej në tri fletëvotime mirëpo, nuk doli që ky vlerësim të ishte i saktë, sepse sipas organizatorëve të zgjedhjeve procesi i votimit u zhvillua normalisht dhe pa vonesa.