1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Medvedjev shprehet për një pauzë medituese në lidhje me Kosovën

Anila Shuka5 Qershor 2008

Presidenti rus bën vizitën e tij të parë zyrtare në Berlin

https://p.dw.com/p/EEOC
Medvedjev dhe Merkel në BerlinFotografi: AP

Në një fjalim që mbajti në mbrëmje në Hotelin Interconti, Dmitrij Medvedjev u shpreh për një pauzë të shkurtër në disa pika të politikës së jashtme, mes tyre edhe Kosovën. Moskën shpesh e quajnë pasive e të rezervuar në politikën e jashtme, tha Medvedjev, por unë ua rekomandoj të gjithëve vetëpërmbahen.

"Ne duhet t'i japim fund rrethit vicioz të hapave unilaterale dhe reagimeve ndaj tyre. Ne duhet të heqim dorë nga thellimi i konflikteve dhe politika e fakteve të kryera. Ndoshta do të duhet të bëjmë një pauzë të vogël dhe të shikojmë se ku ndodhemi e ku kemi ngecur, qoftë në çështjen e Kosovës, qoftë në zgjerimin e Nato-s, qoftë në çështjen e sistemit antiraketor", tha ai gjatë një fjalimi të mbajtur të enjten në mbërmje para përfaqësuesve të ndryshëm nga politika, ekonomia dhe mediet, që u mbajt në Hotelin Interconti në Berlin.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila e pat pritur atë më parë në zyrën e saj, nuk i përmendi fare këto tema në konferencën e përbashkët të shtypit. Në një mesazh të transmetuar në fundjavë në një videoklip ajo kishte anoncuar se do të fliste me presidentin e ri të Rusisë edhe për çështje të tilla, si Irani apo Kosova.

Merkel preferoi të përqendrohej në planin bilateral:, që do të thotë në temën e gazjellësit rus "North Stream" që po ndërtohet nga koncerni rus Gazprom e do të kalojë përmes Baltikut. Angela Merkel tha se e vlerëson këtë projekt për nga rëndësia strategjike, por tha se duhet një dialog i hapur për të mënjanuar dyshimet: "Këto dyshime kanë të bëjnë me faktin që disa vende mund të përjashtohen ose që projekti mund të jetë i drejtaur kundër këtyre vendeve", tha Merkel.

Fjala është kryesisht për Poloninë e cila ishte e para që protestoi për marrëveshjen e nënshkruar qysh në kohën e kancelarit gjerman Gerhard Shrëder (Schröder), i cili aktualisht është kryetar i këshillit të aksionerëve të "North Stream".

Merkel gjithashtu u shpreh për intensifikimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Nato-s dhe BE-së.

Kancelarja gjermane shprehu gatishmërinë e saj për t'u angazhuar më shumë për modernizimin e ndërtimit e shtetit ligjor në Rusi. Presidenti rus premtoi se do të merret vetë me këtë çështje dhe e quajti atë me prioritet shtetëror.

Gjatë qendrimit të tij në Berlin, Medvedjev pati takime edhe me ministrin e jashtëm, Frank Walter Steinmeier (Valter-Shtajnmajer) dhe presidentin e Gjermanisë, Horst Këler (Köhler).