1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mediet në SHBA të zemëruara me videon e Trumpit kundër CNN

Konflikti i vazhdueshëm i Presidentit të SHBA me medie të caktuara amerikane ka arritur një pikë të re kulmore. Përfaqësues të medieve ndërkohë mendojnë se Trumpi bën fushatë të hapur për dhunë kundër gazetarëve.

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka shkaktuar zemërim te gazetarët, me një video të manipuluar dhe të postuar prej tij, në të cilën ai duket që godet me grushte logon e stacionit televiziv CNN. Edhe vetë radiostacioni dhe disa medie të mëdha të tjera si "Washington Post" e dënuan videon si thirrje për dhunë.

"E trishtueshme, po jo nën dinjitetin e këtij Presidenti"

Organizata amerikane "Reporters Committee for Freedom of the Press" ("Komiteti i reporterëve për lirinë e shtypit") deklaroi:

"Ky tweet është nën dinjitetin e postit të Presidentit. Por është e trishtueshme, që nuk është nën dinjitetin e këtij Presidenti. Askush nuk duhet të kërcënohet me dhunë për shkak të punës që kryen (...). Liria e shtypit është një piketë e demokracisë sonë."

"Committee to Protect Journalists" (Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve) paralajmëroi që të mos vihen në shënjestër gazetarë të veçantë apo medie të veçanta, pasi kjo "ushqen një ambjent, në të cilin kuptohen si të pranueshme ngacmimet e tjera dhe madje sulmet fizike." Shprehjet e Trumpit mund "të inkurajojnë udhëheqësit autoritarë në të gjithë botën"", citon New York Times Courtney Radsch nga kjo organizatë amerikane.

Trumpi ka kohë që ka zënka me mediet dhe ditët e fundit i ka shtuar sulmet e tij. Veçanërisht ai ka goditur së fundi dy moderatorë të MSNBC - Mika Brzezinski dhe Joe Scarbarough si dhe CNN-in. Këtë stacion ai e akuzoi për "gazetari për plehra" dhe dërgoi me twitter të dielën videon - versionin e manipuluar të një regjistrimi, i cili tregon debutimin e tij në një show Wrestling.

Sulm i simuluar në "luftën e miliarderëve"

Në video, Trumpi rrëzon në tokë në kuadër të një ndeshjeje Wrestling një burrë dhe e rreh - por fytyra e viktimës megjithatë nuk shihet, në vend të fytyrës duket Logo e stacionit televiziv amerikan, CNN. Në fund të videos, në të cilën përsëritet disa herë skena e rrahjes, shfaqet logoja FNN dhe karakterizimi "Fraud News Network" (Rrjeti i Lajmeve të Mashtruesve). 

Videoja origjinale nuk e përmbante logon e CNN dhe është xhiruar 10 vjet më parë. Videoja është xhiruar në kohën kur Trumpi qe rregullisht mysafir i njohur në lojëra spektakulare mundjeje. Viktima e supozuar është miku i Trumpit Vince McMahon, një organizator miliarder i aktiviteteve të famshme të Wrestling. Sulmi i simuluar u bë në kuadër të "Luftës së miliarderëve", në të cilën dy mundës luftuan në ring në vend të Trumpit dhe McMahonit.

"Përpjekje për ta bërë armë skepticizmin"

Këshilltari i Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, Tom Bossert, e mbrojti videon. Ajo, sipas tij, flet për aftësinë e Presidentit për të komunikuar me njerëzit. Trumpi "rrihet" nga kanalet kabllore televizive dhe ka të drejtën që të reagojë ndaj sulmeve, tha Bossert. Senatori republikan Ben Sasse e pa këtë ndryshe: në CNN tha ai, ka një dallim midis një përgjigjeje të përshtatshme ndaj kritikave dhe "përpjekjes, për ta kthyer në armë skepticizmin".