1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me një ceremoni shtetërore varroset Adem Demaçi

Bekim Shehu
28 Korrik 2018

Mijëra veta morën pjesë në ceremoninë e varrimit të veprimtarit të shquar të çështjes shqiptare dhe të drejtave të njeriut Adem Demaçi. Ai ndërroi jetë të enjten në moshën 82 vjeçare.

https://p.dw.com/p/32FU0
Adem Demaci, kosovarischer Schriftsteller und Unabhängigkeitsaktivist
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Suki

Disa mijëra vetë morën pjesë në ceremoninë e varrimit të veprimtarit të çështjes shqiptare, Adem Demaçi i cili ndërroi jetë të enjten në moshën 82 vjeçare. Udhëheqës të institucioneve, përsonalitete politike dhe figura tjera publike nga Kosova, Shqipëria dhe trevat ku jetojnë shqiptar në rajon, moren pjesë në ceremoninë e varrimit të Adem Demaçit, i cili në Kosovë njihej si "Mandela i Kosovës”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Demacin e cilësoi kolos të kombit shqiptar, i cili sipas tij, u vetëmohua tërë jetën për pavarësinë e Kosovës. "Bota po ndahet nga Mandela i Evropës. Adem Demaçi me tërë qenien e tij fizike, mendore, intelektuale e morale jetoi për një qëllim: Çlirimin e Kosovës nga Jugosllavia dhe Serbia. Rininë, shpirtin e talentuar e plot dhunti dhe moshën e burrërisë, Adem Demaçi i flijoi 28 vjet në burgje jugosllave, pa u thyer dhe pa u mposhtur asnjëherë", tha presidenti Hashim Thaçi.

Për presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e varrimit, tha se Adem Demaçi me veprimtarinë e tij u shndërrua në shembull për të gjithë shqiptarët. "Jeta jote ishte luftë dhe këtë luftë e fitove, duke u bërë për gjithë shqiptarët modeli dhe shembulli i përkushtimit për atdheun i sakrificës dhe dashurisë për të i vetmohimit dhe dedikimit me gjithçka e pa cak për lirinë e popullit”, tha Presidenti I Shqipërisë ILir Meta.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Demaçin e cilësoi si veprimtarin më të shquar të çështjes shqiptare i cili nuk ndaloi së luftuari për të drejtat e tyre. "Kur të tjerët u gëzuan me të drejtat e pjesshme, ty të mundonte padrejtësia e pjesshme. Ti ishe i vetëm për të drejtën e plotë. Kur të tjerët iu gëzuan lirisë së pjesshme, Ty të mundonte robëria e pjesshme. Ti ishe për liri dhe të drejta të plota”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Albanien Tirana Ilir Meta
Fotografi: picture-alliance/AA/O. Shehu

Në emër të familjes, e bija e Adem Demaçit, Abetare Demaci tha se i ati ishte njeri që u sakrifikua për shqiptarizmin. "Po ta njihnin shqiptarët mirë veten do përpiqeshin ta përmirësonin veten, dhe në mënyrë kritike të luftohej e keqja, më thoshte ai. Kështu si jemi, nuk e njohim as veten, nuk e dimë rëndësinë e bashkimit dhe do na përsëritet historia”, tha Abetare Demaçi, duke cituar të atin e saj.

Adem Demaci lindi në vitin 1936. Ai u burgos tri herë - në vitin 1958, për tre vjet, në vitin 1964 për dhjetë vjet dhe nga viti 1975 deri më 1990. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 ai drejtoi për një kohë Këshillin për të Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Nga vitit 1991 deri në vitin 1993 ishte kryeredaktor i revistës "Zëri" në Prishtinë. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin "Saharov". Gjatë periudhës 1998/1999, ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas luftës ai u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre. Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin "Hero i Kosovës”. Për një periudhë Adem Demaçi drejtoi edhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007) dhe është autor i disa librave, njëri prej të cilëve "Gjarpijt e Gjakut” qe i ndaluar nga regjimi jugosllav.