1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me mjete lundruese - Nga gjendja në Shkodër

6 Dhjetor 2010

Evakuimi dhe shpërndarja e ndihmave mbeten prioritet i të gjitha operacioneve që po ndermerren për menaxhimin dhe përballimin e situatës së rënduar në zonën e Nënshkodrës dhe disa lagje të qytetit.

https://p.dw.com/p/QQm4
Fotografi: picture alliance / dpa

Mbi 14 ha tokë e përmbytur, 2500 banesa të përmbytura dhe rreth 4 mijë të rrethuara nga uji. 12 mijë persona të evakuar e 15 mijë krerë bagëti të larguara nga zonat e rrezikut.

Mjaft familje, kryesisht të lagjes Xhabije dhe Kiras në Shkodër hyjnë e dalin nga shtëpitë me mjete lundruese. Ndërkohë që një pjesë e tyre, po largohen nga zonat e përmbytura dhe po strehohen tek të afërmit, brenda territorit aty ku rreziku është më i largët.

Eiserne Moschee überflutet
Xhamia e PlumbitFotografi: DW


- “Tash shtatë ditë jam në ujë bashkë me pleqtë e sëmurë dhe askush nuk ka ardhë me na pa “.
- “Shteti me na ndihmue sadopak për me rujtë bazen ushqimore për bagëtinë”.
-
“Kena shku tek kunati me banu, sepse na ka hi uji deri në brez dhe gjithçka na ashtë përmbytë mrendë në ujë.“ - tregojnë disa nga banorët.

Edhe pse ujërat vazhdojnë të përparojnë brënda qytetit, banorët e këtyre zonave, krahas ndihmës së dhënë nga strukturat shtetërore dhe ato vendore, po gjejnë përkrahje dhe mbështetje edhe nga bashkqytetarët e tyre në Shkodër.

Njëra prej tyre është edhe Xhemalije Vulaj, banore e kësaj lagjeje: "Unë jam banore e kësaj shpisë, ky asht xhaxhai im bashkë me nusen. I kam thirrë këtu pasi shtëpia e tyne asht e përmbytun komplet."

Pamje nga lagja Xhabije
Pamje nga lagja XhabijeFotografi: DW

Sipas Kryetarit të Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, akti i solidarizimit për të përmbyturit shihet edhe në mjaft familje të tjera shkodrane, të cilat kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për të pritur dhe strehuar të rrezikuarit nga rritja e nivelit të ujërave dhe lumenjëve që rrethojnë këtë qytet: "E vlerësuar në këtë proces është mikpritja, gatishmëria dhe solidariteti që familjet e Shkodrës dhe përrreth, kanë treguar ndaj këtyre banorëve që sot ndodhen në rrezik “.

Ndërkohë që për banorët e zonave të përmbytura të Qarkut Shkodër, vazhdojnë të vinë ndihma ushqimore, medikamente dhe mjete të tjera në shërbim të tyre, në mënyrë që proçesi i evakuimit të realizohet sa më shpejt dhe pa pasoja.

Autor: Lek Plani
Redaktor: Pandeli Pani