1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me gravurën e Nënë Terezës te presidenti gjerman

13 Janar 2010

Në pritjen e vitit të ri, qö organizon çdo vit presidenti Horst Koehler në pallatin e tij, këtë radhë i pranishëm ishte edhe Kadri Bekteshi me prejardhje nga Kosova

https://p.dw.com/p/LUjc
Kadri Bekteshi nga Kosova në pritjen e Viti të Ri të Presidentit KöhlerFotografi: DW

Çdo fillim viti presidenti gjerman Horst Koehler organizon në pallatin e tij një pritje të vitit të ri. Kreu i shtetit federal në këtë ritual, përveç personaliteteve me funksione drejtuese në institucione të ndryshme partiake dhe joqeveritare, fton edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët janë dalluar me angazhimin e tyre vullnetar. Këtë radhë i pranishëm ishte edhe Kadri Bekteshi me prejardhje nga Kosova. Me hap sportiv dhe buzëqeshje në fytyrë Kadri Bekteshi kalon para breshërisë së bliceve të fotoaparateve. Horst dhe Eva Louise Koehler e presin në sallonin e pritjes në Kështjellën Bellvue në Berlin. Përgjegjësi i protokollit sapo ka thirrur emrin e tij me një biografi të shkurtër. Bekteshi mban në dorë një kuti të vogël, një dhuratë për presidentin gjerman dhe të shoqen.

Deutschland Schloß Bellevue in Berlin
Pallati presidencial Bellevue në BerlinFotografi: picture-alliance/ dpa

"Ishte një punim gravure me figurën e Nënë Terezës dhe thashë, se prejardhja ime është sikur e Nënë Terezës", thotë Kadri Bekteshi me sy të shndritshëm nga lumturia dhe lotët e gëzimit.

45-vjeçari nga Vitia e Kosovës ka pasur rastin ta shohë Nënë Terezën, kur ajo pat shkuar të vizitonte kishën e Letnicës. Bamirësja nobeliste ka shërbyer edhe për të vazhdimisht si frymëzim, rrëfen Kadri Bekteshi mbas takimit i emocionuar.

Kadri Bekteshi nuk është mësuar me drita projektori, edhe pse kohët e fundit i është dashur të japë shumë intervista për mediet lokale në Bielefeld, në emër të qytetarëve të të cilit, ai ishte i ftuar tek Presidenti i Republikës:

"Bielefeldi ka rreth 400 mijë banorë, afro 100 mijë syresh janë të huaj, dhe mua më zgjodhën si përfaqësues të tyre...," - dhe Bekteshin sërish e kapin e emocionet, kur kujton se ku ndodhet sot ai, që 18 vjet më parë, kur shkeli për herë të parë tokën e këtij vendi për t'i ikur luftës dhe dhunës në Ballkan, nuk fliste aspak gjermanisht.

Kadri Bekteshi Horst Köhler Neujahrsempfang
Kadri BekteshiFotografi: DW

Sporti mjet i parandalimit të dhunës dhe agresionit qysh në fëmijëri

Pikërisht angazhimi i tij vullnetar kundër dhunës u bë shkak që kosovari me buzëqeshjen e përhershme në fytyrë të martën të gjendej përballë presidentit të Gjermanisë. Në Bielefeld ai punon në administratën e qytetit, por në kohën e lirë jep mësim sporti mbi bazë vullnetare në një shkollë fillore.Qëllimi është parandalimi i dhunës dhe agresionit qysh në fëmijëri: "Agresioni nuk mund të largohet vetvetiu, ai hiqet vetëm nëpërmjet aktiviteteve, me biseda, komunikim ose sport," thotë mediatori, vetë baba i dy fëmijëve.

Ideja për një projekt të tillë atij i lindi në vitin 2006, tek vëzhgonte agresivitetin e shtuar tek fëmijët nëpër shkolla. Por angazhimi i tij me bazë vullnetare kishte filluar qysh më herët, me Kryqin e Kuq, në ndihmë të refugjatëve të ardhur nga Kosova në vitin 1999 në Gjermani. Por që ky angazhim dikur do t'i sillte këtë nder, Kadri Bekteshi këtë nuk e kishte menduar kurrë. Prandaj edhe ai tek Presidenti i Gjermanisë e e pa veten jo vetëm si përfaqësues i Bielefeldit, por edhe i shqiptarëve që ecin në gjurmët e Nënë Terezës.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica