1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me apo ratifikim? Debat politik në Kosovë mbi marrëveshjet e arritura me Serbinë

12 Korrik 2011

Partitë politike në Kosovë ato në pushtet dhe ato në opozitë kanë qëndrime të kundërta lidhur me marrëveshjet që u arritën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut teknik. Opozita kundërshton qeverinë.

https://p.dw.com/p/11tSq
Parlamenti i KosovësFotografi: picture-alliance/dpa

Qeveria e Kosovës nuk planifikon të ratifikojë marrëveshjet që u arritën me Serbinë në kuadër të dialogut teknik në Kuvendin e Kosovës. Sipas përfaqësuesve të qeverisë marrëveshjet janë arritur në kuadër të dialogut teknik dhe zbatimi i tyre do të bëhet nga ekzekutivi i vendit. Kryeministri Hashim Thaçi konfirmon se institucionet më të larta të Kosovës, parlamenti dhe presidenca e kanë marrë zyrtarisht tekstin e marrëveshjeve. Sipas tij ato tashmë janë të hapura dhe transparente. Thaçi: “Parlamenti i Kosovës dhe presidenca i kanë zyrtarisht konkluzionet dhe çdo gjë ka qenë dhe do të mbetet transparente në institucionet e vendit por edhe në opinionin publik.”

Ismet Beqiri
Ismet Beqiri, LDKFotografi: DW

Opozita: Është cënuar transparenca

Partitë politike opozitare nga ana e tyre bëjnë oponencë. Marrëveshjet me Serbinë nuk janë transparente dhe si të tilla që të jenë fuqiplota, ato duhet ratifikuar në parlamentin e Kosovës, kërkojnë ato. Partitë politike opozitare kanë kërkuar edhe një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, në të cilën do të kërkohet ratifikimi i marrëveshjeve me Serbinë.

Ismet Beqiri, politikan i partisë opozitare të LDK-së: “Vetë zoti Thaçi ka deklaruar se çdo marrëveshje me Serbinë do të ratifikohet në kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve. Nuk kemi patur mundësi që më herët të kërkojmë seancë sepse se kemi ditur çfarë po ndodh, sepse për ne kanë qenë bisedimet jotransparente". Edhe përfaqësuesit politik të lëvizjes "Vetëvendosja" si forca e tretë politike në kuvend, thonë se nëse Kosova bën marrëveshje me një shtet fqinjë të saj në këtë rast me Serbinë, nuk guxon të anashkalohet kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë i vendit.

Ndërsa Glauk Konjufca, kryetar i grupit parlamentar të lëvizjes Vetvendosja shpjegon cënimin e transparencës: “Vetë fakti që janë arritur marrëveshje të ashtuquajtura "xhentelmene" të cilat nuk do të kalojnë nëpërmjet kuvendit të Kosovës, por janë arritur nga delegacioni i Kosovës me delegacionin e Serbisë, unë mendoj se seriozisht këtu është cënuar transparenca në Kosovë dhe është cënuar rendi institucional sepse është anashkaluar kuvendi i Kosovës.”

Adem Grabovci
Adem Grabovci, PDKFotografi: DW

PDK ka besim tek përfaqësuesit e delegacionit kosovar

Nga ana e saj PDK në pushtet, nëpërmejt kryetarit të grupit parlamentar të saj, Adem Grabovci, ka besim në ekipin negociator të Prishtinës se ata do të mbrojnë interesat e vendit. “Ne kemi besim të plotë tek përfaqësuesit tanë në biseda me Serbinë, se ata do të nxjerrin vendime të drejta dhe do të nënshkruajnë marrëveshje që janë në dobi të vendit dhe shtetit tonë”, thotë Adem Grabovci.


Tre marrëveshjet që u arritën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë “Liria e lëvizjës, njohja e ndërsjellë e diplomave shkollore dhe universitare dhe regjistrat civilë”. Këto marrëveshje pritet të hyjnë në fuqi nga 1. Nëntori i këtij viti, ndërsa, deri në këtë kohë, Prishtina dhe Beogradi paralajmërojnë marrëveshje të tjera që kanë të bëjnë me lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja vendet.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi