Me çmimin e naftës bie rubla
12 Nëntor 2014Ëndrra e keqe e rusëve u bë realitet: çmimi i naftës ra brenda disa muajve me 30 përqind. Ajo që për përdoruesit perëndimorë të automjeteve dhe për blerësit e vajgurit duket si lajm i mirë, për më shumë së 145 milionë banorë të prodhuesit të tretë në botë të naftës është një kërcënim i fortë i mirëqënies së tyre. Sepse nafta është shumë më tepër se gjithçka tjetër burimi më i rëndësishëm i të ardhurave të shtetit rus. Dhe si lubrifikan për investime dhe konsum ajo është shumë më e rëndësishme se gazi, i cili del herë pas herë në qendër të interesit mediatik. Por edhe gazi tani do të bëhet detyrimisht më i lirë.
Banka Qendrore heq dorë nga blerjet mbështetëse
Rubla ka humbur këtë vit përballë dollarit dhe euros 30 deri 40 përqind të vlerës së saj, në një kohë kur shitja e monedhës vendase në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit pati marrë tipare paniku. Banka Qendrore pas kësaj hoqi dorë nga blerjet për ta mbështetur rublën, duke e liruar plotësisht të hënën (10.11.2014) kursin e rublës, megjithëse kishte ndërmend ta bënte këtë në fund të vitit.
Lëkundjet më të fundit spekulative në tregun rus të devizave nuk kanë të bëjnë "absolutisht fare me shkaqet fondamentale ekonomike dhe me faktorët", u dha siguri të hënën Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kolegëve të tij në Forumin e Nivelit të lartë Azi-Paqësor.
Por ekspertët e shohin këtë ndryshe. Ata tërheqin vëmendjen para së gjithash tek ngadalësimi i vrullshëm i zhvillimit ekonomik, që nisi që në vitin 2013 dhe që e solli Rusinë këtë vit në buzë të recesionit. Kësaj i shtohet një largim masiv i kapitalit, pakësimi i investimeve të huaja dhe natyrisht rënia e çmimit të naftës, që solli edhe pakësim të devizave.
Lidhje mes ekonomisë dhe çmimeve të naftës
Përveç çmimit të naftës, problemet e tjera janë shkaktuar vetë. "Shkaqet fondamentale konsistojnë në faktin, që në 10 vitet e fundit praktikisht në vend nuk janë kryer reforma. Sot e shohim rezultatin e kësaj politike", i tha DW Michail Kasjanov, kryeministër i Rusisë në vitet 2000-2004 dhe sot politikan i opozitës. Ai shton edhe dy shkaqe politike për rënien e rublës këtë vit: "agresionin e Rusisë kundër Ukrainës" dhe sanksionet e Perëndimit, që pasuan.
Përkundrazi, profesor Maxim Mironov, i cili jep mësim financat në Shkollën IE të Biznesit në Madrid, thotë se "rritja ekonomike në vitet 2000 ishte rezultat i një lidhjeje, korrelacioni midis ekonomisë ruse dhe çmimeve të naftës, zhvlerësimi në muajt e fundit është pasojë e këtij korrelacioni", shkroi eksperti në revistën serioze ekonomike "Vedomosti".
Për konsumatorët rusë, që mundohen gjithsesi nga inflacioni i lartë, rënia e tanishme e kursit të rublës është një goditje e rëndë. Por kjo nuk vlen për buxhetin e shtetit. Ministri rus i financacve, Anton Siluanov, llogariti pak kohë më parë: rënia e çmimit të naftës me një dollar i ul të ardhurat me 70 miliardë rubla, kurse ngjitja e kursit të dollarit me 1 rubël sjell 180-200 miliardë rubla shtesë në arkën shtetërore.
Por ekonomisë ruse do t'i mungojë valuta. Këtë eksportuesit perëndimorë në Rusi do ta ndiejnë dhimbshëm. Sepse për produktet e tyre ata nuk duan rubla, por dollarë, ose euro.