Mbyllet Kongresi i Partisë Komuniste në Kinë
14 Nëntor 2012Forumi javor i Partisë Komuniste në Sallen e Madhe përfundoi pasi 2200 delegatë nga i gjithë vendi përzgjodhën një komitet të ri drejtues të përbërë nga 200 anëtarë partish.
Xi u rizgjodh për Komitetin Qendror, një zhvillim gjerësisht i pritshëm që ishte publikuar nga media shtetërore, duke sugjeruar se ai ishte pozicionuar në mënyrë të vendosur për t´u shpallur si udhëheqësi më i lartë i Partisë.
Forumi njëjavor përfundoi me një shfaqje uniteti nga delegatët në sallën e kuqe. Ata u ngritën dhe kënduan "Internacionalen", himnin socialist.
Fjala e fundit i takon presidentit
Idit foli presidenti Hu Jintao, i cili paralajmëroi se Partia mund të përballet me një "kolaps", nëse nuk do të ndalë korrupsionin e shfrenuar që kërcënon legjitimitetin e saj. "Unë tashmë deklaroj se Kongresi i 18-të i Partisë Komuniste ka ardhur në një përfundim fitimtar," tha Hu, lideri në ikje i kësaj partie.
Organizimi i Kongresit
Qëllimi kryesor i Kongresit, i cili mbahet një herë në pesë vite, ishte të përzgjedhë një rreth të ri liderësh, në një kohë kur Kina përballet me sfida madhore ekonomike dhe vëzhgim në rritje nga qytetarët e saj.
Partia nuk hoqi dorë menjëherë nga lista e plotë e Komitetit Qendror, por agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua raportoi emërimin e një sërë zyrtarësh nga dy fraksionet kryesore, për të cilët besohet se manovrojnë pushtetitn.
Ata përfshijnë promovimin e mëtejshëm të Byrosë së fuqishme, organi më i lartë i vendimmarjes në Kinë, e cila ka aktualisht nëntë anëtarë por mund të reduktohet në shtatë.
Komiteti elitar pritet të drejtohet nga Xi, dhe vendi i dytë pritet t´i besohet zëvendëskryeministrit Li Keqiang, i cili është planifikuar të bëhet kryeministër përgjatë muajit mars. Gjithsesi analistët thonë se vetëm vënia rregull në Komitetin e sapozgjedhur, i cili do të zbulohet të enjten kur anëtarët të publikohen në media, do të ofrojë siguri në rezultatin fraksionist.
Figurat kryesore politike
Nga njëra anë qëndron ish-presidenti 80-vjeçar Jiang Zemin, i cili është parë në një rol kryesor pas rikthimit të papritur në politikë, ndërsa në cepin tjetër qëndron fraksioni me mbështetësit e Hu. Xi shikohet si një figurë konsensuale që shtrihet përkrah Jiang, ndërsa Li konsiderohet të jetë pjesë e fraksionit të Hu.
Analistët thonë se pavarësisht rivalitetit mes kampeve të cilët janë gjerësisht të ndarë në linja patronazhi, ata përgjithësisht pajtohen me mendimin se Kina duhet të reformojë ekonominë e saj, larg varësisë nga eksportet, duke ruajtur një dozë të fortë mospajtimi.
Ngjitja politike e Xi pritet që nga viti 2007, kur atij iu dha një post në Komitet. Kjo tregon statusin e dukshëm prej trashëgimtari të Hu, i cili këtë javë humbet zyrtarisht kontrollin e tij mbi Partinë. Komentet rreth Kongresit në rrjetet sociale kineze u mbajtën nën kontroll të rreptë, ku pati shumë raste bllokimi, por disa mundën që t´u shpëtojnë kontrolleve dhe të postojnë komente përbuzëse.
"Shpejtoni dhe jepini fund, dua të përdor Google," shkruante një përdorues interneti, duke iu referuar problemeve që pati motori gjigand i kërkimit gjatë ditëve të Kongresit.