Mbyllet kapitulli i mbikqyrjes së pavarësisë
10 Shtator 2012
Në Kosovë kanë mbërritur shumë diplomatë perendimorë për të marrë pjesë në aktivitetet që po shënohen në Prishtinë, në ditën kur shtetit të Kosovës i hiqet mbikqyrja ndërkombëtare. 10 Shtatori, shënon edhe përfundimin e misionit në Kosovë të diplomatit Peter Faith, që për katër vjet e gjysmë mbikqyri zbatimin e planit të Marti Ahtisarit.
Njeriu që hartoi planin gjithpërfshirës për statusin e Kosovës që mundësoi shpalljen e pavarësisë, Marti Ahtisari, arriti në Prishtinë në mesditë së bashku me diplomatin gjerman, Wolfgang Ischinger. Në Prishtinë arriti edhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Riker.
Reeker: Bashkësia ndërkombëtare nuk e harron Kosovën
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, se tha se me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, nuk i jepet fund interesimit të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, por përkundrazi, me të shtohet përqëndrimi ndaj Kosovës. “Po nis një kapitull i ri me mundësi të rëndësishme. Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojë, me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve. E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në Bashkimin Evropian dhe në këtë kuadër dialogu ndërmjet të dyja vendeve është esencial”, tha diplomati amerikan, Philip Reeker.
Grupi Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën mbledh rreth vetes 23 shtete evropiane që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, përfshirë edhe SHBA-së dhe Turqinë merr vendimin për përfundimin e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Pastaj kuvendi i Kosovës mban seancë solemne, ku do të flasin Piter Feith, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, Marti Ahtisari dhe ambasadorët Wisner e Ischinger. Presidentja e Kosovës në një ceremoni të vecantë jep disa dekorata për Frank Wisner, Wolfgang Ischinger, Pieter Feith dhe Michael Spiendelegger.
Po në mbrëmje presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, do të shtrojnë një darkë, në të cilën pritet të marrin pjesë komisioneri për zgjerim i BE-së, Stefan Fyle.