020409 Diskriminierung Alltag Studie
3 Prill 2009Po t'i pyesësh në mënyrë të përgjithshme, pothuajse të gjithë janë të të njëjtit mendim: diskriminimi është i padrejtë.´Ky është rezultati i një studimi për politikën e diskriminimit dhe të antidiskriminimit, të kryer nga instituti i studimit të opinionit "Sinus Sociovision". Drejtori i institutit, Bodo Flaig: "Tek populli gjerman ka një sensibilizim të fortë përsa i përket trajtimit të pabarabartë, i cili në thelb ka të bëjë me idealin e drejtësisë materiale dhe në fund të fundit me shërbimin e bamirësisë publike".
Edhe motivet praktike i përforcojnë gjermanët në refuzimin që i bëjnë diskriminimit, shpjegon Martina Köppen, drejtoreshë e Zyrës së Antidiskriminimit të Federatës: "68 përqind e popullit e konsiderojnë trajtimin e barabartë një përparësi të rëndësishme përballë konkurencës në ambjentin e globalizuar."
Të pyetur në mënyrë të përgjithshme, gjermanët e refuzojnë pabarazinë. Por njëkohësisht, ata mendojnë se bëjnë pak dobi direktivat shtetërore kundër trajtimit të pabarabartë: vetëm një minoritet e konsideron ide të mirë "Ligjin e Përgjithshëm për Trajtimin e Barabartë". "Kjo kontradiktë mund të shpjegohet vetëm me vështirësi, por të dyja janë realitet social. Dhe herë pas here të krijohet përshtypja se fataliteti shpjegohet me faktin se është politika zyrtare ajo që e mbështet këtë qëndrim."
Të tepërta, shumë burokratike, inefektive- këto janë argumentat kryesore kundër rregullave ligjore për diskriminimin. Veçanërisht në ambjentin konservator dhe te shtresa e mesme e shoqërisë, ligji ndesh në refuzim të fortë. Skeptikë janë edhe të shkolluarit dhe ata që jetojnë në mirëqenie. Ata nuk besojnë se politika mund t'i ndikojë në mënyrë vendimtare pozicionimet në shoqëri.
Vetëm ambjentet e të rinjve në qytete e shohin politikën antidiskriminuese si normalitet të një shoqërie demokratike, në një kohë që shtresat e ulëta kanë në një masë të madhe një pozicion indiferent. Një pjesë e madhe e të anketuarve mendon madje se ligji i antidiskriminimit u krijonn grupeve të caktuara favore disproporcionale.
Dhe për gjermanët, diskriminimi nuk është i barabartë me diskriminimin. Kështu, një pozicion i barabartë për të moshuarit, gratë dhe handikapatët pranohet pa diskutim. Ata duhet të mbrohen edhe me ligj. "E njëjta gjë vlen për grupet, të cilat perceptohen si pjesë e shoqatës së vet sociale ose të kulturës dhe botëkuptimit të vet. Përkundrazi, disa prej grupeve të përmendura e kanë relativisht të vështirë - për shembull me migrantët me ngjyrë, njerëzit e besimeve të tjera dhe homoseksualët, sepse ata përjetohen si relativisht të largët."
Autor: Mathias Bölinger / Auron Dodi
Redaktoi: Aida Cama