1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Mbizotëron rrëmujë e madhe" - Fondacioni Bertelsmann boton një analizë për Kosovën

Anila Shuka12 Janar 2009

Rrëmujë kompetencash mes misioneve ndërkombëtare, breshëri diplomatike nga ana e Beogradit, një qeveri diletante. Nga një analizë i sapo botuar nga fondacioni Bertelsmann dalin në pah sfidat e BE-së dhe Prishtinës.

https://p.dw.com/p/GWUC
Kosova - shtet me sfida të mëdhaFotografi: picture-alliance/ dpa

Çfarë bën Peter Feith në Kosovë: koordinon apo mbikqyr? Cila kornizë ligjore vlen: Kushtetuta e qershorit të 2008-ës apo rezoluta 1244? Kujt i jep llogari shefi i Eulex-it, Ives de Kermabon: UNMIK-ut apo Solanës? Gati një vit që nga shpallja e pavarësisë këto pyetje ende janë pa përgjigje dhe Kosova gjendet në një krizë fondamentale, ky është konstatimi i një studimi të fondacionit Bertelsmann.

“Vazhdon të mbizotërojë një rrëmujë e madhe”, thotë për Deutsche Welle-n njëri nga autorët e studimit të botuar në periodikun Spotlight Europe, Armando Garcia Schmidt. “Kjo ka të bëjë edhe me faktin që Bashkimi Evropian vetë nuk është unik në këtë çështje."

Rrëmuja institucionale e faktorit ndërkombëtar nuk ia lehtëson punën qeverisë së Kosovës. Kësaj i shtohen edhe triumfet diplomatike të Beogradit në përpjekjet e tij për të kthyer mbrapsht procesin e pavarësisë. Le të përmendim paditjen e pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare apo kërkesën e presidentit serb, Tadiç, për shfuqizimin e marrëveshjes së Kumanovës (1999) dhe kthimin e trupave serbe në Kosovë: “Taktika e Beogradit është shumë e mençur dhe bën që përreth Kosovës të rritet pasiguria dhe të zvarritet procesi i njohjeve dhe anëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare”, gjykon autorja tjetër, Johanna Deimel në intervistë me DW.

Viti 2009 - viti i Kosovës?

Nisur nga gjendja aktuale lind pyetja, se a përfshihet edhe Kosova në thënien e komisionerit për zgjerimin Oli Rehn:

EU-Erweiterungs Kommissar Oli Rehn in Sarajewo, Bosnien
Komisioneri Oli RehnFotografi: AP

"Viti 2009 do të jetë viti i Ballkanit Perëndimor?" Me qëllim që zhvillimet e vitit të porsanisur të marrin një kthesë pozitive edhe për Kosovën duhet që Brukseli dhe Prishtina të përballojnë disa sfida vendimtare, sugjerohet në analizë.

Nga Bashkimi Evropian kërkohet që ky të tejkalojë përçarjen e brendshme për statusin duke kaluar në zgjidhje të praktikueshme: “Konkretisht vendet që nuk e kanë njohur Kosovën të njohin të paktën pasaportat kosovare”, thotë Garsia Shmidt. Në analizë theksohet edhe nevoja e një mbështetje më të fuqishme për zyrën Ndërkombëtare Civile të drejtuar nga holandezi Peter Feith, funksioni i së cilës mbas vendimit më të fundit të Këshillit të Sigurimit për shtrirjen e EULEX-it është tërësisht i paqartë.

"Më shumë për integrimin e serbëve"

Por edhe në adresë të Prishtinës kërkohet më shumë: “Kosova duhet ta marrë vetë në dorë përgjegjësinë dhe mos të fshihet vazhdimisht mbas problemeve të organizatave ndërkombëtare“, thotë Dajmel.

Serbische Siedlung oberhalb Gracanica
Familje serbe në GraçanicëFotografi: Refki Alija

Përgjegjësi duhet të tregojë qeveria e Kosovës edhe sa u përket të drejtave të serbëve, shton ajo dhe kritikon politikën e kanalizimit të ndihmave: “Nuk ke asnjë dobi kur dërgon ndihma masive për ata pak shqiptarë në veri të Mitrovicës, ndërsa serbëve nuk u jep asgjë. Mjetet e vëna në dispozicion nga Konferenca e Donatorëve duhet të shkojnë edhe për serbët e Kosovës”, kërkon Deimel, e cila nga zyra e Feithit vitin e kaluar ka pasur rastin t'i japë drejtpërsëdrejti këshilla qeverisë kosovare.

Por edhe simbolet nuk janë për t'u nënvleftësuar, shton shkencëtarja nga Mynihu. "Kur Thaçi i drejtohet popullsisë, qoftë në publik të gjerë, qoftë në parlament, do të ishte mirë që të thoshte disa fjalë në serbisht. Nuk mund të presësh që serbët e Kosovës të kenë vetvetiu besim tek qeveria. Besimi fitohet me punë.”

Se a do të jetë me të vërtetë viti 2009 edhe viti i Kosovës? Kjo nuk dihet. Me dy shtetet që do të marrin në dorë kryesinë e BE-së, Çekinë dhe Suedinë, shanset nuk janë të vogla : "Çekia e ka shpallur Ballkanin një nga prioritetet e politikës së saj evropiane, ndërsa Suedia me ministrin e jashtëm, Karl Bildt ka një përvojë të gjatë me rajonin." Por shanset zvogëlohen menjëherë në fillim të vitit 2010 kur BE-në e kryeson Spanja, një vend, i cili jo vetëm nuk dëshiron të njohë pavarësinë e Kosovës, por deri tani ka refuzuar të njohë edhe pashaportat kosovare.