1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita ndërkombëtare e refugjatëve

Mimoza Kelmendi20 Qershor 2013

Sipas vlerësimeve të OKB-së më shumë se 43 milionë njerëz janë në arrati. Gati gjysma nga këta janë fëmijë dhe të rinj nën moshën 18 vjeç. Më dramatike situata paraqitet në Siri me 1,6 milionë të larguar.

https://p.dw.com/p/18tYQ
Refugjatë nga Siria në JordaniFotografi: picture-alliance/dpa

Në ditën botërore të refugjatëve, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun dhe organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), kanë kërkuar një mbrojtje më të mirë të refugjatëve dhe më shumë solidaritet ndërkombëtar.

Ban Ki Mun përmes një deklarate nga Boni i Gjermanisë shprehu shqetësimin e tij për refugjatët në mbarë botën duke kërkuar një shpërndarje më të drejtë të tyre. Aktualisht 81 për qind e tyre janë në vendet në zhvillim. "Bashkësia ndërkombëtare duhet njëkohësisht të bëjë më shumë për parandalimin e konfliktive dhe të jetë më efektive për zgjidhjen e tyre".

Organizata për ndihma humanitare e OKB-së, UNHCR kishte bërë të ditur ditën e mërkurë (19.06.2013) se numri i njerëzve të dëbuar së fundi ka arritur rekord. Me më shumë se 43 milionë refugjatë dhe persona të zhvendosur, ky numër arrin nivelin më të lartë në këto 20 vitet e fundit. Më shumë se gjysma e të gjithë refugjatëve kanë origjinën nga pesë vende ku sundon lufta civile: Afganistani, Somalia, Iraku, Siria dhe Sudani.

Syrische Flüchtlinge in der Türkei
Refugjatë sirianë në TurqiFotografi: picture alliance/abaca

Thirrje BE-së për mbrojtjen e refugjatëve, veçanërisht në Libi

Amnesty International kërkon ndër të tjera nga BE-ja që të sigurojë që refugjatët, personat që kërkojnë azil dhe emigrantët në Libi nuk janë të prekur nga veprime që hyjnë në kategorinë e shkeljeve të të drejtave të njeriut. „BE duhet të sigurojë që standardet që ajo vendos vetë t'i zbatojë edhe për vendet jashtë BE-së, me të cilat ajo bashkëpunon", tha Nicolas Beger, drejtor i i zyrës së AI në BE.

Në prill dhe maj përfaqësues nga AI inspektuan të ashtuquajturat shtatë „holding centres“ në Libi. Aty mbahen kryesisht emigrantë nga Saharaja e Afrikës, zakonisht disa muaj para se ata të dëbohen. Ekipi i inspektorëve ka gjetur shenja të keqtrajtimit dhe torturimeve, bën të ditur organizata për të drejtat e njeriut. Të burgosurit, në mesin e të cilëve edhe gra janë rrahur brutalisht me shufra dhe kabëll.

Kohët e fundit BE-ja po e mbështet Libinë në sigurimin e kufijve të saj. 10 milionë euro llogariten nga BE-ja për “menaxhmin e migracionit”, si pjesë e politikës europiane të fqinjësisë me Libinë. AI dyshon se një pjesë e parave janë përdorur për të finnacuar kampet në të cilat mbahen migrantët e kapur ilegalisht.

Dy vjet pas shpërthimit të konfliktit më shumë se një million njerëz kanë marrë arratinë për shkak të dhunës në Siri. Numri i refugjatëvë deri në fund të verës pritet të rritet në dy milionë. Më shumë se gjysma prej tyre janë fëmijë. Sipas organizatës për të drejtat e fëmijve, Save the Children, situata e fëmijve sirianë është dramatike. Kjo organizatë ka punuar shumë në zonat me refugjatë në Liban, si dhe në Jordani dhe Irak. Aktualisht ajo është shumë aktive në Siri.