1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mbi 200 të vrarë në atentatet në Bagdad

Pak para fundit të muajit të agjërimit ramazan në kryeqytetin irakian Bagdad janë vrarë në atentate më shumë se 200 vetë. Përgjegjësinë për aktin terrorist e mori Shteti Islamik.

Në atentatin më të përgjakshëm terrorist këtë vit, numri i të vrarëve në kryeqytetin irakian Bagdad është rritur në të paktën 213 vetë. Më shumë se 300 vetë janë plagosur, deklaroi ministria irakiane e Shëndetësisë të hënën (04.07.) Sipas të dhënave të organeve të sigurisë atentati i parë ndodhi kur në një rrugë tregtare me shumë njerëz të njohur si Karada shpërtheu në një automjet një bombë.

Një oficer policie tha se një atentator vetëvrasës e shpërtheu kamionin e ngarkuar me eksploziv pranë një restoranti në zonë. Ky shpërthim mori shumë jetë njerëzish, duke përfshirë 15 fëmijë, dhjetë gra dhe gjashtë policë. Vlerësimet e mëparshme për të vrarët folën për 80 vetë, por shifra u rrit me shpejtësi gjatë së dielës.

Forcat e shpëtimit druhen se numri i të vrarëve mund të shtohet edhe më tej, meqenëse nuk ka qenë e mundur të identifikohen të gjitha pjesët e kufomave dhe ka ende persona të zhdukur. Në kohën e shpërthimit të bombës, shumë banorë po përfundonin blerjet para festës për përfundimin e muajit të agjërimit Ramazan.

Një tjetër lëndë shpërthyese shpërtheu në një rrugë tregtare në lagjen e banuar nga shiitët Al-Shaab në veri të Bagdadit. Sipas të dhënave të policisë atje u vranë të paktën dy vetë.

Milicët xhihadistë të "Shtetit Islamik" e morën përgjegjësinë për atentatin në Karrada. Dega sunitase e IS deklaroi sipas sipërmarrjes amerikane Site, të specialitzuar në vëzhgimin e faqeve islamiste të internetit se atentati vetëvrasës qe drejtuar kundër një mbledhjeje të shiitëve.

Ambasada e SHBA në Bagdad shprehu ngushëllimet e saj për familjet dhe miqtë e viktimave në një deklaratë të publikuar në Facebook.

"Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në përpjekjet e saj për të mbështetur Irakun në përpjekjet e tij për të mundur Daesh dhe për të çliruar të gjithë Irakun", u tha në deklaratën, e cila përdori shkurtimin arabisht Daesh për fjalën IS.

Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi vizitoi skenën e sulmit dhe u zotua se do të marrë hak, sipas stacionit televiziv shtetëror al-Iraqiya. Ai akuzoi "banda terroriste" se kishin bombarduar "pasi qenë mundur në zonën e luftës." Por kryeministri irakian u detyrua të largohej shpejt nga vendi i ngjarjes, pasi një grup i zemëruar personash të pranishëm nisën të gjuajnë me gurë kundër vargut të automjeteve të kryeministrit. Ata i akuzuan për mungesë efikasiteti forcat e sigurisë në rastin e shpërthimit të bombës.

Qeveria irakiane deklaroi muajin e kaluar se Faluxha që ndodhet më në Perëndim të vendit u rivendos në kontroll dhe iu mor IS. Por IS vazhdon të kontrollojë pjesë të gjera të Irakut. Shteti Islamik vazhdon të kontrollojë qytetin e dytë për nga madhësia në Irak, Mosul, ku këtë vit pritet të nisë një ofensivë kundër IS. IS besohet se ka ende nën kontroll 14 përqind të territorit të Irakut, bëri të ditur zyra e Kryeministrit të vendit. Shteti Islamik ndërmerr herë pas here atentate kundër anëtarëve të besimit shiit.