1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbas 5 vjetësh pavarësi e Malit të Zi

21 Maj 2011

Me 21 maj mbushen pesë vjet nga pavarësia e Malit të Zi. Ish-kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq pohon se edhe sot, pesë vjet më vonë, se Mali i Zi është në shënjestër të "projektit serbomadh".

https://p.dw.com/p/11Knh
Mali i Zi ndahet nga Serbia
Mali i Zi ndahet nga SerbiaFotografi: AP

Pesë vitet e fundit kanë kaluar në shenjë të tendosjeve dhe mosmarrëveshjeve të shumta mes Podgoricës dhe Beogradit. Në esencë, Serbia kurrë nuk e ka pranuar realitetin, që Mali i Zi është një shtet i pavarur. Kjo shihet nga strategjitë e shumta të serbëve që jetojnë në Mal të Zi, të cilët janë nën influencën e drejtëpërdrejtë të Beogradit. Serbinë gjatë këtyre viteve e ka zemëruar krysisht njohja e pavarësisë së Kosovës prej Podgoricës zyrtare.

Raportet mes Serbisë dhe Malit të Zi janë tronditur edhe nga pohimet e shumë zyrtarëve serbë, se Podgorica nuk është e interesuar të bashkëpunojë në luftën kundër kriminalitetit të organizuar, që manifestohet me moskapjen e të shumëkërkuarit Dushko Shariq, i cili akuzohet në Serbi për kontrabandimin e 200 kilogramëve kokainë.

Trazira në Mal të Zi pas njohjes nga pavarësia e Kosovës
Trazira në Mal të Zi pas njohjes nga pavarësia e KosovësFotografi: AP

Gazetari dhe analisti Drashko Gjuranoviq pohon se raportet politike mes Serbisë dhe Malit të Zi prej shpalljes së pavarësisë janë të këqija. “Në projektin nacionalist serbomadh, Mali i Zi është gjithmonë një territor i dëshiruar. Në Podgoricë ekziston frika nga e ashtuquajtura Serbi imeperialiste, që vërehet edhe sot e kësaj dite. Krahasur me të gjitha vendet tjera të rajonit, Mali i Zi i ka raportet më të këqija me Serbinë", thotë ai.

Për këto pesë vite, Mali i Zi ka përparuar më shumë se Serbia në rrugën drejt afrimit me Bashkimin Evropian. Beogradi, vayhdon të ketë probleme të shumta në bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës për krime lufte në hapsirat e ish - Jugosllavisë si dhe në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Mali i Zi, ndryshe nga Serbia nuk ka çështje të hapura me vendet e rajonit. Të dhënat ekonomike dëshmojnë se rroga mesatare në Mal të Zi është rreth 500 euro, që është dukshëm më shumë se mesatarja në Serbi, prej rreth 340 euro. Serbia ka probleme të mëdha me inflacionin prej rreth 10 për qind, ndërsa Mali i Zi (ku si monedhë zyrtare përdoret euro) ka një inflacion vjetor prej 0,5 %. Serbia ka qenë më e goditur nga kriza ekonomike dhe vuan nga një papunësi më të madhe se vendi fqinj.

Milo Gjukanovic
Milo GjukanoviçFotografi: picture-alliance/dpa

Por, kjo nuk do të thotë se Mali i Zi është një vend ku të gjitha gjërat kanë lulëzuar pas shpalljes së pavarësisë. Ekonomia e vendit vazhdon të ketë probleme të mëdha. Shumë sipërmarrje punojnë vetëm duke i falënderuar ndihmave të shtetit. Nuk ka përfunduar asnjë prej projekteve të mëdha në infrastrukturë, vendi varet nga importi (kryesisht nga Serbia), ndërkohë që pjesën më të madhe të turistëve në këtë vend vazhdojnë ta përbëjnë mysafirët nga Serbia.

Gjithnjë e më shumë flitet edhe për mundësinë që Serbia dhe Mali i Zi të kërkojnë së bashku investime prej institucioneve ndërkombëtare financiare për ndërtimin e autostradës dhe hekurudhës Tivar - Beograd.

Profesori Predrag, Simiq nga Beogradi pohon se retorika gjatë pesë viteve të fundit ka qenë shpesh e nxehtë, por vetë fakti që në relacionin Podgoricë - Beograd kemi shtatë - tetë fluturime në ditë, dëshmon se raportet mes njerëzve dhe raprotet ekonomike mes vendeve janë shumë më të mira se sa ato politike.

Boris Tadic dhe Filip Vujanovic
Boris Tadiç dhe Filip VujanoviçFotografi: AP

Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviq deklaroi se pas referendumit të vititit 2006, Mali i Zi ka krijuar një emër të mirë në qarqet ndërkombëtare, por ka mundur të bëhet edhe më shumë në tejkalilmin e dallimeve të brendshme. Ekspertët thonë se pushteti në Podgoricë nuk ka ndryshuar në 20 vitet e fundit. Millo Gjukanoviqi vazhdon të jetë personi me influencën më të madhe në vend, sepse pushteti është përqëndruar në duart e një grupi njerëzish të afërt me Gjukanoviqin. Ndërkohë që opozita, pa ndonjë influencë të madhe, më shumë është e drejtuar drejt Beogradit se sa Malit të Zi.

Autor: Vesna Rajkovic/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama