1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

May po punon për një ligj të ri për Brexit

Vendimi i gjykatës për Brexit vë një pengesë të re në rrugën e daljes nga BE. Kryeministrja britanike May dëshiron megjithatë t'i përmbahet planit kohor dhe me sa duket po përgatit projektligjin përkatës.

Kryeministrja britanike, Theresa May ndodhet aktualisht në Indi, për të folur me homologun e saj Narendra Modi për marrëdhëniet dypalëshe ekonomike. Para se të niset ajo me sa duket u ka lënë detyra shtëpie bashkëpunëtorëve të saj në Londër. Sipas të dhënave të kanalit televiziv "Sky News" qeveria britanike po punon për hartimin e një projektligji për të dalë nga BE-ja, i cili do t'u paraqitet parlamentarëve. Stacioni televiziv u referohet burimeve, që nuk duan të citohen. Një zëdhënëse e qeverisë nuk dëshiroi ta komentojë lajmin.

Miratimi i deputetëve u bë i nevojshëm për shkak të një vendimi të gjykatës javën e kaluar. Gjykatës të High Court patën vendosur që për nisjen e procesit të daljes nga Bashkimi Evropian, duhet të japë miratimin edhe parlamenti. Por May i paralajmëroi deputetët në Dhomën e Sipërme dhe të Poshtme të Parlamentit që të mos e minojnë votën e britanikëve për Brexit.

Para nisjes për në Indi, ajo deklaroi: "Deputetë, të cilëve u vjen keq për rezultatin, duhet të pranojnë atë për të cilën vendosën njerëzit." Sipas May-t, të gjitha përpjekjet tani duhet të përqendrohen për të arritur rezultatin më të mirë për Britaninë e Madhe. Kjo do të thotë edhe përmbajtje në planin e deritashëm kohor dhe nisja në fund të marsit e negociatave për të dalë nga Bashkimi Evropian.

Nxitje në medie dhe kërcënime me vdekje

Vendimi i gjykatësve të së enjtes së kaluar (03.11) shkaktoi në fundjavë diskutime të mëdha në Britaninë e Madhe. Gazeta bulevardeske si "Daily Mail" ose  "Daily Telegraph" i quajtën gjykatësit përkatës "armiq të popullit", të cilët veprojnë kundër popullit. Shefi i laburistëve,  Jeremy Corbyn paralajmëroi përballë këtyre titujve "të rrezikshëm" për një ashpërsim të konfliktit politik.

Menaxherja e fondit të investimeve, Gina Miller, e cila bënte pjesë në paditësit para High Court, i tha BBC se ka marrë kërcënime për përdhunim dhe për prerje koke. Veç kësaj, ajo tha se ishin shqiptuar kërkesa që ajo të dëbohet në Guayanë. Miller i bëri përgjegjëse politikanët dhe mediet për këtë nxitje, sepse ato kanë nxitur për "racizëm, dhunë dhe hidhërim." Ministrja e Drejtësisë, Elizabeth Truss e mbrojti ndërkohë vendimin e gjykatësve dhe i paralajmëroi britanikët që ta respektojnë pavarësinë e drejtësisë. Një pushtet i pavarur gjyqësor është "baza e shtetit tonë juridik" deklaroi ministrja.

Britanikët vendosën në 23 korrik me shumicë të vogël për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Por High Court vendosi që kryeministrja May nuk ka kompetenca që ta shpallë fillimin e negociatave për Brexit pa një votë parlamentare.

(afp, dpa, rtr)