1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU Defizit

Angelina Verbica18 Shkurt 2009

Këtë të mërkurë Komisioni i BE-së evaluon politikën buxhetore të 17 vendeve anëtare, ndër to edhe të Gjermanisë

https://p.dw.com/p/GwfP
Komisari i BE-së për çështje ekonomike dhe monetare Joaquin AlmuniaFotografi: AP

Komisari i Ekonomisë dhe i Çështjet Monetare, Joaquin Almunia, do të japë sinjalin e parë, se cilat vende duhet të llogarisin me një proces deficit për shkak të shkeljes së normave të përcaktuara në Paktin e Stabilitetit financiar të BE-së.

Rregullat në parim janë të thjeshta: Nëse një vend anëtar e tejkalon dy vjet rresht kuotën e borxheve, atij i tërhiqet vërejtje nga Brukseli. 3% e produktit bruto në vend është kuota e përcaktuar. Katër nga 16 vende të zonës së euros në vitin 2008 dhe siç parashikohet edhe në vitin 2009 e tejkalojnë këtë normë. Franca, Spanja, Irlana dhe Greqia. Këto shtete kërcënohen tani nga procesi për deficitin sipas rregullave të Paktit të Stabilitetit. Komisari i BE-së për Çështjet Monetare, Joaquin Almunia, e sqaron kështu procedurën:

"Ne do të diskutojmë, se si do të veprojmë kundër borxheve të shtetit, që e tejkalojnë normën e përcaktuar. Në këtë kontekst ne duhet të marrim parasysh rrethanat e veçanta të krizës ekonomike. Por ne duhet që t´u qëndrojmë besnik rregullave tona dhe nuk duhet ta humbasim nga fokusi synimin tonë për ristabilizimin e buxheteve shtetërore në afat të mesëm dhe afatgjatë."

Kjo do të thotë, që Komisioni i BE-së do t´i zbatojë me fleksibilitet rregullat e Paktit të Stabilitetit. Vendet anëtare, që kanë marrë të ashtuquajturën letër blu, pra paralajmërimin për proces nga Brukseli, nuk duhet që patjetër pas një viti të paraqesin një deficit nën 3%. Se kur mëkatarët e deficitit do të kthehen në shtegun e virtytit buxhetor, kjo do të varet kryesisht prej situatës në vendet e veçanta. E kështu duhet, thotë ministri gjerman i Financave, Peer Steinbrück:

"Unë jam për atë, që zbatimi i paktit të bëhet konform rregullave, kjo do të thotë, që pasi të konstatohet deficit jashtë normës, duhet të nisë puna për konsolidimin. Por Komisioni duhet të ketë hapësirë veprimi për t´i caktuar në mënyrë realiste afatet e korrigjimit duke marrë parasysh veçoritë e vendit përkatës.

Gjermania ende nuk bën pjesë në listën e shteteve, që duhet të llogarisin me proces. Vitin e ardhshëm qeveria gjermane, sipas parashikimeve të BE-së, mund ta tejkalojë normën e 3% të deficitit buxhetor.

Ndërsa deficiti buxhetor p.sh. në Francë vitin e kaluar ishte mbi 3% dhe këtë vit me borxhet e reja parashikohet të arrijë në 5%. Edhe më keq paraqitet gjendja në Irlandë, ku parashikohet një deficit buxhetor prej 11%. Megjithatë Komisioni i BE-së do t´u japë kohë irlandezëve, për ta ulur deficitin. Ky vend u prek rëndë prej krizës financiare: në 2007 në Irlandë pati një rritje të fuqishme ekonomike, ndërsa vitin e kaluar rënie, ekonomia u tkurr ndjeshëm.

Ndryshe qëndron puna me Greqinë: Deficiti jashtë kufijve është gatuar kryesisht brenda vendit dhe nuk ka të bëjë shumë me krizën aktuale. Për këtë arësye Komisioni i BE-së mund të jetë më rigoroz ndaj grekëve.