1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrja në pyetje e Murdochut para komisionit parlamentar britanik

20 Korrik 2011

Sipërmarrësi i mediave Rupert Murdoch dhe djali i tij janë paraqitur para një komisioni parlamentar hetimor në Londër - deri tani kulmi i skandalit britanik të përgjimit.

https://p.dw.com/p/1207k
Seanca dëgjimore në Londër
Seanca dëgjimore në LondërFotografi: picture alliance/dpa

Rupert Murdoch dhe i biri, James, duhej të prisnin deri në fund të seancës parlamentare, deri sa të mund ta shprehnin mesazhin e tyre: një kërkim falje në adresë të viktimave të skandalit të përgjimit dhe të gjithë opinionit publik britanik. Pas marrjes në pyetje Murdoch senior lexoi me fytyrë të ngurtësuar një deklaratë të përgatitur më parë:

"Kjo është dita më poshtëruese e karrierës sime. Të hysh në sferën private të njerëzve, duke u dëgjuar sekretarinë telefonike, është gabim, të paguash policët për informacione është e gabuar. Kjo nuk është në përputhje me rregullat tona të sjelljes dhe nuk ka vend në asnjë vend në asnjë pjesë të sipërmarrjes, të cilën unë e drejtoj."

Murdoch theksoi disa herë, se sa keq i vjen atij dhe djalit të tij për atë, që ka ndodhur. Ai tha se i vjen turp dhe e di se të kërkuarit falje nuk mund të zhbëjë atë, që është bërë. Ai premtoi se do t'i rregullojë gjërat dhe se do të bashkëpunojnë me policinë.

Ndërtesa e perandorisë mediatike News Corporation në Nju-Jork
Ndërtesa e perandorisë mediatike News Corporation në Nju-JorkFotografi: picture alliance / dpa

Në fakt, Murdoch kishte dashur ta lexonte deklaratën që në fillim të seancës. Një kërkesë, të cilën kryetari i komisionit e kishte kundërshtuar, duke vënë në dukje se deputetët do të bënin shumë pyetje. Mmegjithatë, përgjigjet, që morën dhjetë parlamentarët dhe me ta miliona shikues të televizionit gjatë seancës, ishin pak sqaruese. James dhe Rupert Murdoch u përpoqën të shmangeshin, kur bëhej fjalë për detaje. Ata tërhoqën vemendjen për rëndësinë e hetimeve ligjore, tek të cilat nuk donin të ndikonin. Për makinacionet tek gazeta tashmë e mbyllur 'News of the World', për gjithë përmasat e aferës, ata thanë se nuk duan të dinë më parë se publiku britanik:

"Çdo gjë m'u bë e qartë vetëm, kur u zbulua. Unë isha absolutisht i shokuar, i tmerruar dhe i turpëruar, kur kam dëgjuar për përgjimin e telefonit në rastin e vajzës së rrëmbyer Milly Dowler, nxënëse shkolle. Kjo ka qenë vetëm dy javë më parë."

Rupert Murdoch pranoi se ndoshta e kishte humbur kontrollin mbi perandorinë e tij. Krahasuar me madhësinë e përgjithshme të koncernit të tij gazetat britanike janë vetëm një pjesë e vogël, që përbënin ndoshta vetëm një për qind të biznesit, tha Murdoch. Përgjegjësinë personale për aksionet e përgjimit Murdoch refuzoi ta merrte mbi vete:

"Përgjegjës janë njerëz, të cilëve unë gabimisht u kam besuar. Ose njerëz, të cilëve u kanë besuar të besuarit e mi," u shpreh Murdoch. Edhe dorëheqjen manjati 80-vjeçar i mediave e refuzoi në mënyrë kategorike.

Momenti i sulmit ndaj Murdochut
Momenti i sulmit ndaj MurdochutFotografi: picture-alliance/empics

Pak para përfundimit të seancës pati një moment të shkurtër tmerri. Një njeri nga publiku kërceu dhe vrapoi në drejtim të Rupert Murdochut. Ai i derdhi atij një substancë të bardhë në fytyrë, ndoshta krem rroje. Njeriu u nxor jashtë. Askush nuk u lëndua dhe pas një ndërprerjeje të shkurtër seanca vazhdoi.

Mediat britanike e vlerësuan si sensacion faktin që Murdochët kishin ardhur në seancën hetimore. Rupert Murdoch është konsideruar deri tani gjithmonë si i paprekshëm. Ai ka 40 vjet që është aktiv në tregun mediatik britanik. Para një komisioni parlamentar ai nuk kishte dëshmuar kurrë deri dje.

Autor: Stefan Lochner / Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj