181109 EU Russland Gipfel
19 Nëntor 2009Befasia më e madhe e samitit ndodhi sa i përket mbrojtjes së klimës. Rusia premtoi në samitin e Stokholmit se do t'u përmbahet qëllimeve të BE-së për zvogëlimin e emëtimit të gazrave të dëmshme. Presidenti i Komisionit José Manuel Barroso: „Meqenëse konferenca e Kopenhagës do të fillojë brenda dy javësh, unë e përshëndes shumë sinjalin e sotëm të presidentit Medvedjev, që Rusia të zvogëlojë me 25 përqind nivelin e emëtimit të gazrave të dëmshme."
Struktura e ekonomisë ruse primitive
BE-ja kërkon që niveli i këtye gazrave të zvogëlohet të paktën 20 përqind në krahasim me vitin 1990. Në qoftë se vendet tjera pranojnë madje edhe 30 përqind. Mbështetja prej Rusisë e këtyre planeve të BE-së, do t'i forcojë pozicionet evropiane në samitin e Kopenhagës. Në këtë kuptim, përfaqësuesit e BE-së kanë lavdëruar fjalimin e presidentit Medvedjev, të mbajtur para dy javësh. Ai e ka quajtur strukturën e ekonomisë së tanishme ruse primitive, e cila mbështetet vetëm tek pasuritë natyrore.
Komisionerja e BE-së Benita Ferrero-Waldner mbështet këto vlerësime.„Rusia ka nevojë për atë që, për shembull kanë bërë ekonomitë tona në vitet 70-të dhe 80-të. Le të kujtojmë vetëm ekonominë gjermane e cila mbështetej tek qymyri dhe industria e metalit. Sot kemi në Gjermani një industri ekologjike, e cila do të jetë shumë esenciale."
Furnizimi me energji ende i pasigurt
Pozicionet mes palëve nuk kanë ndryshuar pothuajse aspak në çështjen e sigurisë së furnizimit me energji. BE-ja ka frikë se sërish do të fillojnë mosmarrëveshjet mes Rusisë dhe Ukrainës për çmimet e gazit, si në fillim të këtij viti, të cilat bien sërish mbi kurrizin e konsumatorit evropian. Rusia dhe BE-ja duhet të kenë në të ardhmen një sistem paralajmërimi të hershëm, por kjo nuk përjashton konfliktet ruso-ukrainase.
Edhe çështja e anëtarësimit të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë mbeti i paqartë. Qeveria ruse ende nuk e di nëse do të anëtarësohet e vetmuar apo së bashku me ish-republikat sovjetike, Kazakistanin dhe Bjellorusinë, anëtarësimi i të cilave mund të zgjatë edhe më shumë.
Jo vetëm sipërmarrjet e BE-së ankohen se pa rryshfete dhe korrupsion nuk mund të zgjidhësh në Rusi asnjë problem. Vetëkritik është edhe vet Presidenti Medvedjev. „Problemet në ekonominë tonë i njohim shumë mirë. Ato natyrisht që kanë të bëjë edhe me korrupsionin. Mund të kemi vetëm një mendim: Rusia do të angazhohet edhe më tej që të luftojë korrupsionin dhe të dënojë ata që marrin pjesë në të."
Korrupsioni, të drejtat e njeriut, Gjeorgjia...
Në anën tjetër, Medvedjev relativizoi këtë çështje duke thënë se korrupsioni është një problem mbarëbotëror dhe jo vetëm i Rusisë. Medvedjevi dhe përfaqësuesit e BE-së disa herë e bën të qartë se mes tyre ka dallime për shumë çështje si korrupsioni, të drejtat e njeriut apo dhe lufta e vitit të kaluar mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Por pikërisht këto janë edhe disa shkaqe më shumë pse ato duhet të bisedojnë.
Autor : Christoph Hasselbach / Bahri Cani
Redaktoi : Aida Cama