Marrëdhënie diplomatike mes Maqedonisë dhe Kosovës
18 Tetor 2009Në këtë marrëveshje pos të tjerash thuhet se Kosova dhe Maqedonia kanë vendosur të vendosin marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh, që nga data e nënshkrimit të këtij akti, pra 17. tetor 2009. Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë të dy palët angazhohen për përforcimin e lidhjeve miqësore në bazë të respektimit të ndërsjellë të sovranitetit kombëtar, të pavarësisë dhe të integritetit territorial. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike do të kontribuojë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në interes të paqes dhe të stabilitetit të rajonit. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve vendosen një vit pas njohjes së Kosovës nga ana e Maqedonisë. Kosova është vendi i 127 me të cilën Republika e Maqedonisë vendos marrëdhënie diplomatike me emrin e saj kushtetues. Tё dy vendet do tё ndёrmarrin hapat e nevojshёm qё nё kohёn e duhur tё hapin ambasadat e tyre dhe të akreditojnё ambasadorёt.
Fundi i një zënke të gjatë - Përshëndetet ratifikimi i marrëveshjes për vijën kufitare nga kuvendi i Kosovës dhe Maqedonisë
Marrëveshja e nënshkruar në orët e vona të së premtes (16.10.) shënoi pikën kulmore të një procesi negociimi disa muaj të gjatë nën vëzhgimin e BE-së dhe SHBA-së. Ajo u prit me reagime pozitive nga SHBA-ja dhe BE-ja. "Lidershipi i të dy vendeve tregoi vendosmëri dhe bëri një hap të madh përpara për sigurimin e stabilitetit në rajon", thuhet në një deklaratë të ambasadës së SHBA-së në Shkup. I ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme, Javier Solana, e vlerësoi marrëveshjen si "një shenjë të mirëpritur pjekurie, përgjegjësie dhe respekti reciprok". Edhe Suedia e cila mban presidencën e radhës të BE-së, iu bashkua vlerësimit të Solanës duke e cilësuar zgjidhjen e çështjes së kufijve mes Kosovës dhe Maqedonisë si "shenjë inkurajuese përgjegjësie dhe pjekurie". Maqedonia e cila tashmë e ka njohur shtetin e pavarur kosovar, ka deklaruar se pas zgjidhjes së çështjes së kufijve do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën.
Autor: Fatos Musliu / Pandeli Pani
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora