1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sipas ekspertëve mbrojtja e maqedonishtes nuk është aty ku duhet

26 Prill 2012

Firmat maqedonase, institucionet, mediat tanimë 14 vjet rresht, pas miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase janë të obliguara për përdorimin e drejtë të gjuhës . Por kujdesi nuk është në nivelin e duhur.

https://p.dw.com/p/14lWt
Fotografi: DW

Lektorët në ministri, politikanët në kurse, gazetarët në trajnim!

Shkelje më të madhe të përdorimit të gjuhës së standartizuar maqedonase ka në institucione, në komunikimin zyrtar dhe tek personat publik dhe në media. Përdoren dialektet dhe zhargone ndërsa gabime serioze bëhen tek theksi i fjalëve. Për këtë ka reaguar Këshilli për gjuhën maqedonase. "Edhe politikanët duhet të marrin trajnim në të shprehurit e drejtë të gjuhës", thotë për Deutsche Wellen, Dr. Veselinka Labroska, drejtore e Institutit për gjuhën maqedonase "Kërste Misirkov" dhe anëtare e Këshillit për gjuhën maqedonase pranë ministrisë së kulturës.

"Së pari është e nevojshme që në të gjitha minstritë të punësohet nga një lektorë. Ai është i obliguar që ti lekturojë të gjitha dokumentet dhe tekstet e shkruara, para se ato të publikohen. Të gjithë ata duhet të punojnë më shumë për të përmirësuar shprehjen e tyre gjuhësore dhe të mos përdorin dialekte, zhargone si dhe të ketë mundësi për trajnim brenda vetë medias apo institucionit. Sinqerisht të themë edhe politikanët duhet të kalojnë disa trajnime për shprehje të drejtë të gjuhës maqedonase. Por kemi edhe politikanë të cilët bëjnë përpjekje për tu shprehur bukur. Gjithçka varet nga vetëdija dhe ndërgjegjja e çdo individi ".

Gjuhët e huaja pasurojnë jetën, por gjuha amë është baza e identifikimit

Që nga viti 2010 në ligjin për përdorimin e gjuhës maqedonase, teksti i cili nuk është i lekturuar ndërsa botohet nga persona juridikë, kompanitë, mediat, institucionet, ngarkohen me gjoba prej 1.000 deri 1.500 euro. Me gjobë prej 600 deri në 800 euro për tekstin e pa lekturuar ngarkohet edhe personi përgjegjës. Kompanitë, kafenetë, etj - ende shkruhen shpesh në gjuhë të huaja. "Por, shpesh këto ndëshkohen dhe kanë efekt," thotë Labroska.

"Shumë shpesh ato janë të shkruara në gjuhë të huaja, me emra të huaj, shkronja latine, të cilat nga ana e ligjit të mëhershëm lejohej regjistrimi i kompanive, por që aktualisht kjo është në kundërshtim me ligjin për gjuhën maqedonase. Duhet ende të punohet në pjesën e ligjit për përdorimin e gjuhës latine nëpër tabelat dhe në regjistrimin e firmave ".

Procesi i globalizimit ka imponuar përdorimin edhe më të madh të gjuhës angleze në krahasim me gjuhën maqedonase. Por kjo nuk ka të bëjë me shkatërrimin e gjuhës maqedonase por sipas Llabroskës kjo është vetëm një tendencë për tu futur në kornizat botërore.


Maqedonia nuk ka një strategji themelore për mbrojtjen e gjuhës maqedonase

"Krahasuar me 10 ose 20 vjeçarin e fundit gjuha maqedonase vuan nga moszhvillimi serioz, ndërsa legjislacioni që është i domosdoshëm, nuk mund të kontribuojë shumë në ndërgjegjësimin e njerëzve për përdorimin letrarë të gjuhës maqedonase ", thekson Prof. Dr. Loreta Georgievska-Jakovleva nga Instituti për letërsi maqedonase.
 

Dr. Veselinka Labroska
Dr. Veselinka LabroskaFotografi: DW

Sipas saj institucionet përgjegjëse për studimin dhe kultivimin e gjuhës maqedonase duhet të përgatitin numër të mjaftueshëm të fjalorëve dhe manual të kuptueshëm, pastaj duhet të punohet në thjeshtësimin e rregullave drejtshkrimore ndërsa normat dhe rregullat gjuhësore t'u afrohen nevojave të përditshme të nxënësve në mësimin fillor dhe të mesëm shkollor.

"Qytetarët e Maqedonisë nuk janë të vetëdijshëm se pa gjuhë ata nuk mund të zbulojnë vetveten dhe as të përshkruajnë botën rreth tyre. Derisa ata nuk e kuptojnë këtë si duhet, nuk do të kemi ndonjë efekt të madh pozitiv në kujdesin për gjuhën. Rregullorja është një nga kushtet, por si duket shumë më shumë duhet të punohet në ngritjen e vetëdijes tek qytetarët. Bëhen përpjekje të veçanta për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës letrare maqedonase, megjithatë, strategji serioze themelore më duket se akoma nuk ka."

Dr. Loreta Georgievska-Jakovleva apelon deri tek shteti dhe ekspertët që të përcaktojnë një strategji të qartë për kujdesin dhe pasurimin e gjuhës letrare maqedonase.

Mazedonische Zeitungen am Kiosk in Skopje
Fotografi: AP

Autor: Suzana Todorovska-Pavllovska / Qeriman Bekteshi
Redaktoi: Elert Ajazaj