1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia skeptike për eurointegrimin

4 Qershor 2012

Në Maqedoni është rritur euroskepticizmi pas mosmarrjes së ftesës për anëtarësim në aleancën veriatlantike në samitin e NATO-s në Çikago. Sipas ekspertëve Maqedonia duhet të zgjidhë urgjentisht çështjen e emrit.

https://p.dw.com/p/157Sa
Fotografi: AP

Sipas vëzhguesve politikë maqedonas, bllokimi i proceseve të integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike mund të ketë ndikim të dukshëm në situatën politike dhe ekonomike në Maqedoni. Pas samitit të NATO-s në Çikago, ku Maqedonia nuk mori ftesë për anëtarësim, në vend është rritur skepticizmi, edhe pse anëtarësimi në BE dhe NATO mbetet ende lart në listën e prioriteteve të qeverisë së Maqedonisë,

Integrimi euroatlantik - alternativa e vetme për Maqedoninë

Për alternativat e Maqedonisë në të ardhmen, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Veton Latifi mendon se Maqedonia nuk ka asnjë alternativë tjetër veç anëtarësimit në NATO dhe BE, mendon ai. Në teori zgjidhjet dhe opcionet për çështje të caktuara gjithnjë mund t'i keni, por jo çdo njëra prej tyre mund të konsiderohet si një alternativë. “Çdo alternativë jashtë NATOS-s dhe BE-së për Maqedoninë do të thotë reperkusione të rënda në aspekt të ardhmërisë së saj. Nuk mund të jetë ndryshe dhe nuk mund të ketë alternativë tjetër përpos integrimit në NATO dhe BE, sepse Maqedonia atë e ka në themelet e shtëpisë".

Sipas vlerësimit të Prof. Veton Latifi, Maqedonia duhet të krijojë një strategji të qëndrueshme për proceset eurointegruese. Është e qartë se pa zgjidhjen e çështjes së emrit nuk mund të ketë integrim në NATO dhe BE. “Është i qartë, propozimi i Brukselit se Maqedonia duhet ta zgjidhë çështjen e emrit qoftë për integrim në NATO apo BE dhe Maqedonia së paku deri më tani duhej të arrinte një konsensus stabël, të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës për zgjidhjen e çështjes së emrit”.

Rasmussen në Shkup
Rasmussen në ShkupFotografi: DW/Musliu

Duhen ndryshime rrënjësore

Opozita vlerëson se në Maqedoni duhet të bëhen ndryshime rrënjësore për përshpejtimin e proceseve eurointegruese. Nëse vazhdohet me bllokimin e anëtarësimit të vendit në strukturat euroatlantike, kjo do të shënojë një politikë humbëse për qeverinë aktuale, thotë lideri i opozitës maqedonase, Branko Crvenkovski. Qeveria e Gruevskit nuk ka ndërmend të bëjë asnjë korrigjim të politikave të saja. “Andaj partitë opozitare do të intensifikojnë presionin që qeveria të bëjë korrigjime në politikën e saj, në të kundërtën ne do të angazhohemi për ta ndërruar atë”, thotë Branko Crvenkovski.

Nënkryetari i Këshillit Veriatlantik për Maqedoninë, Ismet Ramadani, thotë se ka kaluar afati i pritjes në radhë për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Ai kërkon nga qeveria veprime urgjente për përshpejtimin e proceseve eurointegruese. “Nëse njëra rrugë shkon drejt Pekinit dhe e BDI-së shkon drejt Uashingtonit ose drejt Brukselit, këto rrugë nëse nuk takohen atëherë edhe nuk ia vlen dhe me qenë bashkë”, shprehet Ismet Ramadani. Megjithë bllokimin e eurointegrimeve, analistët vlerësojnë se shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare do të ishte humbje kohe për Maqedoninë.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi