1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia parajsë për investitorët, makth për punëtorët

Qeveria e Maqedonisë synon të tërheqë investitorët e huaj përmes pagave të ulëta dhe injorimit të të drejtave të punëtorëve. Investitorët e huaj paguajnë më pak, ata përfitojnë nga papunësia e lartë në vend.

Pa zbardhur dita 35-vjeçari Goran hipën në autobusin e fabrikës. Ai jeton në Veles, por punon 60 kilometra më në jug, afër Kavadarit, ku është fabrika e kompanisë gjermane "Draxlmaier". Aty prodhohen komponentet elektronike për makinat luksoze gjermane Mercedes-in, për të cilat ai vetëm mund të ëndërrojë. "Unë punoj gjithë ditën vetëm për 180 euro në muaj. Kur punoj në fundjava dhe festa marr pak më shumë. Fizikisht mund ta përballoj, por mendërisht kam marrë fund tashmë. Presioni i vazhdueshëm për të përmbushur normën e përditshme, më lodh", thotë Gorani.

Ai është një nga të paktët që guxojnë të flasin për kushtet e punës në ndërmarrjet e investitorëve të huaj në Maqedoni. Por ai nuk do t'i dalë emri në shtyp. Frika se mund të humbasë punën është shumë e madhe. "Ne nuk kërkojmë kushte si në Gjermani, por ato duhet të jenë më të mira se sa janë. Në verë temperatura shpesh shkon mbi 35 gradë dhe ne nuk kemi ajër të kondicionuar në fabrikë, kondicionerët punojnë deri në orën 14 dhe pastaj i fikin. Unë shpresoj se këtë vit nuk do të jetë përsëri si vitin e kaluar. Ishte si ferr, njerëzve u binte të fikët. Këtu kursehet aq shumë sa gjendja është me të vërtetë katastrofike ", thotë Gorani për DW-në.

Paga tepër të ulëta

Të njëjtin fat ndajnë disa mijëra vetë në Maqedoni, sikurse tregon një punonjëse e kompanisë amerikane" Johnson Controls" që prodhon pjesë këmbimi për makina në Shtip, në lindje të Maqedonisë. Ajo thotë se ka gjithmonë përreth një kontrollues, i cili bën presion, se në rast se nuk përmbushim normën do të na shkurtojë rrogën.

Përqindja e papunësisë në Maqedoni ka rënë vitet e fundit, por ajo vazhdon të jetë 25%. Gjysma e të papunëve janë të rinj nën 29 vjeç. Por në të njëjtën kohë pagat kanë shënuar rënie. Sipas statistikave rroga mesatare në Maqedoni është 350 euro. Por rreth 70% e punëtorëve fitojnë më pak. Në qytete si Shtipi dhe Kavadari, punonjësit e kompanive të huaja si "Draxlmaier" ose "Johnson Controls" fitojnë mesatarisht 250 euro në muaj. Ata shpesh duhet të punojnë pas orarit, përfshirë edhe të shtunat.

Presion prej papunësisë

Qeveria e Maqedoninë synon prej vitesh të tërheqë investitorët e huaj përmes pagave të ulëta. Por ekspertët paralajmërojnë se "historia e suksesit" me investitorët e huaj ka një çmim mjaft të lartë, që kthehet për punonjësit në makth: "Për sa kohë ne kemi një shkallë të lartë të papunësisë, ne nuk mund të presim paga të larta. Ky është problemi kryesor i ekonomisë së Maqedonisë. Përveç kësaj, sindikatat janë shumë pasive", thotë profesori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Zoran Ivanovski.

Pece Ristevski i Sindikatës së Industrisë, Energjetikës dhe Minierave thotë se investitorët e huaj paguajnë më pak, sepse përfitojnë nga papunësia dhe sepse ligjet që mbrojnë punëmarrësit po rrudhen, ndërkohë që qeveria bën shumë për investitorët.