1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia në udhëkryq

Fatos Musliu20 Tetor 2015

Maratona e fundit e bisedimeve ndërpartiake në Maqedoni për zgjidhjen e krizës në politikën e brendëshme dështoi. Mungesa e rezultateve e zhgënjen komisionerin e BE-së, që ndërmjetëson për zgjidhjen e krizës.

https://p.dw.com/p/1Gqt7
Johannes Hahn in Skopje
Fotografi: MIA

“Jam i zhgënjyer, kjo ishte një ditë e keqe, por ende jam optimist. Liderët e partive politike duhet ta kuptojnë seriozitetin e situatës, në të cilën gjendet Maqedonia. Nuk mundet Europa të marrë vendime për liderët e Maqedonisë”. Kështu është shprehur eurokomisari për zgjerimin Johannes Hahn, pas bisedimeve 12 orëshe në rezidencën e BE-së në Shkup, ku katër liderët e partive më të mëdha në Maqedoni nuk arritën marrëveshje për realizimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Përzhinos.

“Unë po kthehem në Bruksel, por ekipi im mbetet këtu në Shkup, dhe shpresoj që do të ketë ndonjë marrëveshje konkrete gjatë ditëve të ardhëshme”, është shprehur Hahn gjatë largimit nga Shkupi. Ai shtoi se ky dështim në negociata do të mund të ketë reflektim edhe në procesin e eurointegrimeve, pasi edhe pak ditë pritet të publikohet raporti i progresit dhe ende nuk dihet nëse në të do të ketë rekomandim për fillimin e negociatave për antarësimin e Maqedonisë në BE.

Akuza të ndërsjellja pozitë-opozitë

Arsyeja për dështimin e negociatave ka qenë insistimi i VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së që këmbëngulin të miratohet ligji për mospublikimin e materialeve nga përgjimet, gjë që është kundështuar nga opozita. Kjo e fundit kërkon të miratohet pjesa tjetër e marrëveshjes që ndikon në procesin eurointegrues të vendit. Lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev, thotë se marrëveshja nuk është arritur për shkak se partitë në pushtet kanë harxhuar kohë dhe kanë minuar bisedimet duke insistuar të ndalojnë publikimin e materialeve të përgjimeve. “Ndalimi i publikimit të bisedave të përgjuara, nuk mund të jetë çështje më e rëndësishme se ardhmëria europiane e të gjithë qytetarëve. Partitë në pushtet me idetë e tyre, po blejnë kohë për të dështuar negociatat”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Ndërsa VMRO akuzon opozitën për dështimin e negociatave: “Nuk arritëm marrëveshje përfundimtare, edhe pse kishte afrim të qëndrimeve sa u përket temave të caktuara. Opozita nuk po respekton marrëveshjen e 2 qershorit sipas së cilës duhet të miratohet ligj për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjimeve”, thotë Ila Dimovski nga VMRO-DPMNE.

BDI me shpresa tek ndërkombëtarët

Liderët e dy partive shqiptare, pjesmarrës në negociata, Ali Ahmeti nga BDI dhe Menduh Thaçi nga PDSH, janë larguar disa orë para përfundimit të raundit të dështuar të negociatave mes liderëve. “Do vazhdojnë grupet e punës për t'i përmbyllur të gjitha mosmarrëveshjet që ekzistojnë. Sigurisht që ka dallime në lidhje me kompetencat, ligjin për qeverinë, ministrat. Sigurisht që është duke u biseduar se si do të afrohen pozicionet e ndryshme. Komuniteti ndërkombëtar është i interesuar dhe është mjaft aktiv në përmbylljen e këtij problemi”, deklaroi Ahmeti pas daljes nga rezidenca e BE-së, ku zhvillohej takimi i liderëve.

Grupi i punës me ndërmjetësim të ekspertit ndërkombëtar Piter Vanhaute, ka arritur pajtueshmëri për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa tani në tryezën e bisedimeve do të diskutohet për emërimin e ministrave të rinj, atij të Punëve të Brendëshme, të Financave dhe të Politikës Sociale, që duhet të propozohen nga opozita, por sipas marrëveshjes së 2 qershorit, për emërimin e tyre pëlqim duhet të japin edhe partitë në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI

Malevski: Maqedonia në udhëkryq

Analistët vendas vlerësojnë se dështimi i negociatave për zgjidhjen e krizës poltike në Maqedoni në prag të publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Europian për Maqedoninë, mund të ketë ndikim tejet negativ për ardhmërinë europiane të vendit. Profesor Denko Malevski, vlerëson se zhgënjimi i eurokomisarit Hahn duhet të jetë sinjal i mjaftueshëjm për politikanët vendas, se Maqedonia gjendet në një situatë mjaft kritike. Nëse dështon i tërë procesi i negociatave, kriza politike në vend mund të kthehet në fillimet e saj por nuk duhet përjashtuar mundësia se mund të kemi edhe konsekuenca të paparashikuara.

“Të huajt qartë na treguan se nuk mund t'i kryejnë punët tona. Politikanëve vendas duhet ta kenë të qartë se kthim prapa nuk ka, rruga është para nesh. Është për t'u habitur se si politikanët tanë e konceptojnë politikën vetëm si privilegj, e jo si një mekanizëm për të prodhuar zgjidhje politike, e cila do të jepte fryte për tërë shtetin”, thotë profesor Denko Malevski.

Nëse negociatat dështojnë dhe ndërkombëtarët i heqin dorë nga Maqedonia, atëherë sipas Malevskit, vendi do të zhytet në kaos, shoqëria do të paralizohet dhe mllefi përsëri do të dalë nga institucionet dhe atëherë janë të mundshme të gjitha skenarët.