Maqedonia më afër BE-së
3 Shtator 2009Maqedonia po përparon mirë në përmbushjen e tetë kritereve dhe nëse arrin që t'i plotësojë me sukes kushtet tjera mund të rekomandohet një datë për fillimin e bisedimeve gjatë këtij viti. Kështu deklaroi para anëtarëve të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, komisioneri për zgjerimin e BE-së Oli Rehn, vetëm disa javë para shpalljes së raportit të Komisionit Evropian për procesin e zgjerimit.
"Sa i përket ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë vendi ka bërë progres të mirë në përmbushjen e tetë kritereve, dhe nëse arrin që me sukes ta plotësojë edhe pjesën e ngelur të tyre, mund t'i propozojmë një datë për fillimin e negociatave këtë vit.“
Zgjidhja e çështjes së emrit nuk përbën kusht
Edhe pse Maqedonia me miratimin e ligjeve të fundit i ka plotësuar kërkesat e Brukselit, Rehn ka porositur se nuk duhet të mbizotërojë vetëkënaqësi para se të përmbushen të gjitha kushtet. Qeveria dhe parlamenti kanë bërë punë të mirë muajin e fundit, veçanërisht në sferën gjyqësore dhe në lidhje me administratën. "Unë mendoj se ekzistojnë gjasa reale që vendi t'i plotësojë kushtet për fillimin e negociatave që këtë vit," - ka theksuar Ren.
Ai përsëriti se zgjidhja e kontestit rreth emrit nuk paraqet kusht, por në qoftëse ai zgjidhet, do t'i sigurojë vendit një klimë pozitive për integrim në BE. Por komisioneri i BE-së nuk iu përgjigj pyetjes së një deputeti grek, i cili kërkoi prej tij dënimin e "propagandës nacionaliste të qeverisë së Shkupit".
Heqja e regjimit të vizave
Europarlamentarët e pyetën komisionerin pse Komisioni ka rekomanduar heqjen e vizave vetëm për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa jashtë këtij procesi kanë mbetur Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina, gjë që mund ta cënojë gjendjen në rajon. Rehn u përgjigj se ky vendim nuk ka vetëm kuptim politik, sepse duhet të përmbushen kushtet e parapara, duke theksuar se Këshilli i Evropës dëshiron që të gjitha vendet e rajonit të lirohen nga regjimi i vizave, por pasi t'i përmbushin kërkesat.
Autor: Toni Glamceski/Keriman Bekteshi
Redaktor: Pandeli Pani