1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Qeveri e re, probleme të vjetra

Pas një krize të stërzgjatur politike dhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Maqedonia më në fund ka një qeveri të re. Shpresat për një fillim të ri janë të mëdha, por edhe më të vështira janë sfidat për ndryshim.

Tri të shtëna nga një armë zjarri u dëgjuan në Shkup më 1 qershor, vetëm disa orë pasi ministrat e qeverisë së sapozgjedhur morën përsipër postet e tyre. Kjo ishtë një tentativë për vrasje, personi i synuar ishte Nikolla Todorov, ministër i Shëndetësisë në qeverinë e kaluar të VMRO-DPMNE. Todorov e mbijetoi sulmin i padëmtuar.

Në shkurt të vitit 2015 ministri Todorov u kritikua pas vdekjes tragjike të nëntëvjeçares Tamara Dimovska, që nuk i dha leje për t'u kuruar jashtë vendit. Gjyshi i vajzës mori tani armën dhe e shkrepi drejt Todorovit. Tamara u bë si simbol lufte kundër korrupsionit të lartë në Maqedoni.

Shteti i korruptuar

"VMRO e ka helmuar shoqërinë duke ushqyer një nacionalizëm të tmerrshëm etnik. Qeveria e re tani duhet me zgjuarësi të qetësojë situatën në vend dhe jashtë vendit” tha njohësi i mirë i Ballkanit dhe deputeti i SPD-së në Bundestag Josip Juratovic. Ai vazhdoi se "kriza politike tani për tani mbaroi, por kriza ekonomike dhe sociale mbeten ende”. Fakti që disa orë pas zgjedhjes së qeverisë ka pasur tentativë për vrasje kundër një ish-ministri paralajmëron qartë detyrën e vështirë që ka përpara Kryeministri Zoran Zaev.

Sulmi ndaj parlamentit dhe ndaj deputetëve më 27 prill, shfaqi edhe një herë që korrupsioni i lartë ka mbërthyer të gjitha instucionet e shtetit duke përfshirë edhe forcat e sigurisë.

Borxhi i lartë

"Kriza e gjatë e formimit të qeverisë tani mori fund. Por që krizat në Maqedoni perfundimisht kanë mbaruar, nuk e besoj dot”, kështu u shpreh për DW, Tobias Flessenkemper drejtori i Programit të Ballkanit në Qendrën Ndërkombëtare Evropiane (CIFE) në Nicë të Francës. Ai gjithashtu shtoi: "Do jetë një detyrë shumë e madhe dhe e vështirë, për të sjellë ndryshime sociale dhe për t'i kaluar problemet që u shfaqën vitet e fundit”.

Përveç problemeve shoqërore, askush nuk mund të përshkruajë gjendjen reale ekonomike të shtetit. Deri në 5 milardë euro ka arritur borxhi i shtetit gjatë këtyre tetë viteve të fundit, ku në qeveri ka qenë Gruevski dhe partia e tij. 

Mosmarrëveshja mbi emrin

Si pengesë kryesore për integrimet në BE dhe NATO mbetet mosmarrëveshja për emrin me Greqinë. Që nga viti 2008 Greqia vazhdimisht bllokon proceset e Maqedonisë për inegrimet në BE dhe NATO, për shkak të emrit.

Raportuesi për Maqedoninë në Bundestagun gjerman, Torsten Frei është i mendimit se çdo gjë tani është në duart e qeverisë së re. "Gjermania dhe BE-ja së bashku mbështesin pozicionin e Maqedoninë, dhe nëse ka progres në bisedime, unë jam i sigurt se presioni ndaj Greqisë për çështjen e emrit vazhdimisht do të rritet” tha Frei për DW. Dhe theksoi që është shumë herët për të hapur negociatat për anëtarësim në BE "pasi gjatë konflikteve politike vendi ka bërë hapa mbrapa në çështjen e integrimit. Së pari Maqedonia duhet të tregojë sinjale ndryshimi” - tha Frei.