1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Prokuroria speciale heton krimin financiar

Prokuroria speciale maqedonase është duke kryer shtatë hetime, në të cilat janë të përfshira 60 zyrtarë të dyshuar për përfshirje në vepra të rënda penale, kryesisht të kriminalitetit financiar.

Prokuroria speciale maqedonase po vepron: Personat e përfshirë në krim përveç padisë penale do të mbartin edhe përgjegjësi materiale, sepse të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit, ka thënë Lençe Ristovska, prokurore e prokurorisë speciale. Sipas saj Prokuroria Speciale ka për qëllim që të hetojë kriminalitetin, të kryer nga funksionarët shtetërorë gjatë dhjetë viteve të fundit, andaj këta funksionarë përveç se do të mbajnë përgjegjësi penale, atyre do t'u merret edhe pasuria e patundshme shtëpi, banesa, dyqane etj.

Ristovska: “Prokuroria speciale po kryen shtatë hetime, në të cilat janë të përfshirë 60 persona të dyshuar, por numri i procedurave parahetimore rritet në vazhdimësi. Nuk mundemi të japim më shumë informacione lidhur me procedurat tona, megjithëse punojmë vazhdimisht. Pjesa më e madhe e punës është e fokusuar në hetimet financiare, por materialet kërkojnë kohë që të mblidhen dhe analizohen”, ka thënë prokurorja Lençe Ristovska.

Ajo e ka komentuar edhe vendimin e fundit të Presidentit Ivanov që 22 persona kryesisht që merren me politikë t'iu merret e drejta për falje. Prokuroria speciale kërkon nga Presidenti Ivanov që të tërheqë vendimin për falje edhe për personat e tjerë, të cilët ishin në listën që u publikua para dy muajsh.

Ristevska thotë se Presidenti Ivanov nuk duhet të ketë qasje selektive. “Vendimi për falje dhe më pas ai për tërheqjen e pjesshme të faljeve kanë vështirësuar zbatimin e sundimit të së drejtës në vend, pasi kemi qasje selektive. Duhet të na mundësohet qasje e barabartë, jo selektive, të kemi duar të lira për të vepruar, për të hetuar të gjitha rastet që kemi ngritur, por edhe të tjerat që mund të hapim, varësisht hetimeve që kanë për bazë materialet e përgjuara telefonike”, ka deklaruar Ristevska.

Përveç nga presidenti, Ristevska ka thënë se pengesa dhe refuzim bashkëpunimi ka edhe nga institucionet tjera.“Kur jemi tek mosbashkëpunimi me organet shtetërore, më duhet të them se kemi probleme të shumta, që nga refuzimi i dorëzimit të dokumenteve të kërkuara nga ana jonë, apo edhe nga interpretimi i ndryshëm i ligjeve që zvarrisin procedurat që kemi nisur”, është shprehur Ristevska, duke refuzuar ndërkohë të komentojë akuzat e zyrtarëve se prokuroria speciale punon në mënyrë selektive dhe se është vënë në shërbim të opozitës.

Mazedonien Staatsanwaltschaft in Skopje

Prokuroria e Maqedonisë

Opozita maqedonase kërkon shtrirjen e hetimeve

Zyrtari i partisë opozitare maqedonase të LSDM-së, Aleksander Naumovski ka porositur Prokurorinë Publike të Shkupit, që të nisë sa më shpejtë një hetim gjithëpërfshirës për projektin “Shkupi 2014” dhe ndaj kryetarit aktual të Komunës së Shkupit, Koce Trajanovski. Ai hap dyshim për keqpërdorim të shumë milionave eurove nga kryetari aktual i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski. “Institucionet përkatëse të Maqedonisë po heshtin rreth hulumtimit të projektit "Shkupi 2014". Prokuroria Publike e Shkupit duhet menjëherë të nisë një hetim gjithëpërfshirës për të vërtetuar kriminalitetin e bërë nga kryetari i komunës së Shkupit, Koce Trajanovski. Në bazë të statistikave dhe revizioneve është konstatuar se shumë para janë harxhuar. Qytetarët e Maqedonisë duhet të dinë të vërtetën se ku kanë përfunduar ato të holla, sepse janë para të tyre” ka deklaruar Aleksandër Naumovski.

Protestuesit ndyshojnë strategjinë e veprimit

Lëvizja “Protestoj” ndryshon dinamikën dhe formën e protestave. Nga hedhja e ngjyrave mbi objektet qeveritare, protestuesit kanë filluar të bllokojnë tani edhe kryqëzimet. Drejtuesit e “revolucionit shumëngjyrësh” thonë se protestat, përpos ngjyrosjes së institucioneve shtetërore, do të shtrihen në më shumë dimensione siç është edhe bllokimi i udhëkryqeve kryesore në Shkup, duke paralizuar tërësisht trafikun. "Bëhet fjalë për një riformatim të protestave me atë që do të bllokohet jeta normale në kryeqytet dhe jo vetëm, sepse në këtë gjendje të thellë krize nuk mundet të mbyllim sytë para realitetit dhe të bëjmë sikur jetojmë në një shoqëri normale, meqë në këtë situatë asgjë s'është normale. Institucionet janë vënë në mbrojtje të krimit dhe jo ta luftojnë atë”, thotë Aleksandar Donov nga “revolucioni shumëngjyrësh”.

Ai shpreh bindjen se presioni që bën “revolucioni shumëngjyrësh” ka dhënë frytet e para.

“E dini se presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, u detyrua nën presionin tonë të tërheqë një pjesë të vendimit të tij për falje edhe pse më duhet të theksoj se ne nuk jemi të kënaqur me tërheqjen e pjesshme të këtij vendimi.Ne gjithashtu kërkojmë dhe dorëheqjen e presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov”, ka nënvizuar Donov. Protestat e organizatave joqeveritare kundër politikave të qeverisë, kanë mbështetje nga partia opozitare maqedonase LSDM dhe nga disa parti shqiptare të cilat nuk janë të përfaqësuara në parlament.