1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Praktika pozitive të ligjit për azil

Fatos Musliu30 Tetor 2013

UNHCR në Maqedoni vlerëson se ligji për azil dhe mbrojtje të përkohshme në vend funksionon mirë në praktikë. Në zbatimin praktik të ligjit janë të përfshira edhe OJQ.

https://p.dw.com/p/1A8tq
Fotografi: Kristian Cierpka

Zbatimi praktik i ligjit për azil dhe mbrojtje të përkohshme, praktikat më të mira si rezultat i ndyshimit të ligjit në fjalë dhe mbrojtje të përkohshme, kanë qenë në fokus të punëtorisë të organizuar nga zyra e UNHCR-së. Qëllimi i kësaj punëtorie ka qenë shqyrtimi i zbatimit të ndryshimeve të fundit të ligjit për azil dhe sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet që punojnë me azilkërkuesit.

Shefi i misionit të UNCHR-së në Maqedoni Mohammad Arif, thotë se qeveria e Maqedonisë në çdo pikëpamje mbështet iniciativat e misionit të UNCHR-së për zgjidhjen e çështjes së personave që kërkojnë azil, apo të atyre që nuk e kanë të rregulluar çështjen e shtetësisë ose kërkojnë ndonjë ndihmë tjetër juridike për të definuar statusin e tyre në shtet.

Kthimi i refugjatëve romë në Kosovë

Ndër prioritetet e UNCHR-së në Shkup, Mohammad Arif veçon tre prioritete kryesore: rastet e refugjatëve që kanë mbetur nga kriza e Kosovës në Maqedoni, statusi i personave pa shtetësi dhe lëvizja e migracionit të përzier, të cilët tranzitojnë nëpër Maqedoni. Ai me theks të veçantë nënvizon praninë e refugjatëve të Kosovës kryesisht të komunitetit rom, që vazhdojnë të qëndrojnë në Maqedoni.

“Nga lufta në Kosovë, në Maqedoni kanë mbetur 1.087 persona. Rreth 200 persona nga ky numër janë paraqitur për t'u kthyer në Kosovë. Deri në fund të këtij viti 15 familje rome do të kthehen në Kosovë. Kjo është bërë e mundur pasi BE ka ndihmuar për t'iu siguruar këtyre familjeve strehim në Kosovë ”, shprehet Mohammad Arif, shef i misionit të UNCHR-së në Shkup.

Për 700 persona të tjerë, statusi i tyre është në proces të zgjidhjes dhe dalëngadalë po integrohen në shoqërinë maqedonase. Përveç këtyre dy grupeve ekziston edhe një grup tjetër i cili ende nuk ka vendosur nëse do të kthehet në Kosovë apo do të integrohet në shoqërinë maqedonase. UNHCR në bashkëpunim me ministrinë e punëve të brendshme është në kërkim të gjetjes së mekanizmave për zgjidhjen e statusit të refugjatëve romë në Maqedoni, sepse ky proces tanimë është dashur të përfundojë.

Azilkërkuesit tranzit në Maqedoni

Romë në komunën Shuto Orizar në Maqedoni
Fotografi: DW/K. Blazevska

Misioni i UNCHR-së në Maqedoni është duke u ballafaquar edhe me dukurinë e re të aplikimeve nga persona që kalojnë tranzit në Maqedoni, të cilët për shkaqe të ndryshme mbeten në Maqedoni dhe aplikojnë për azil. Këta pesona vijnë nga vendet jashtë këtij rajoni, para së gjithash vijnë nga vendet ku për momentin ka konflikte luftarake dhe ku mbizotëron një situatë, e cila i detyron ata të lëshojnë vendin e tyre.

“Numri më i madh i këtyre personave ësthë nga Siria, Afganistani, Pakistani, Algjeria dhe Maroku. Qëllimi ynë është që përmes sistemit t'u ndihmojmë personave të cilët gjatë trazitimit në Maqedoni kërkojnë mbrojtje juridike”, thotë Mohammed Arif.

Ndihmë për azilkërkuesit nga OJQ-të

Irena Zdravkova nga Shoqata maqedonase e Juristëve të Rinj thotë se ata në bashkëpunim me zyrën e komisariatit të lartë për refugjatë në Shkup kanë filluar në mënyrë të drejtëpërdrejt të merren me çështjen e azilkërkuesve në Maqedoni. Tani më tre vite kjo shoqatë joqeveritare u ofron falas ndihmë juridike personave që kërkojnë azil në Maqedoni dhe personave që për shkaqe të ndryshme ende nuk e kanë të rregulluar statusin e shtetësisë. Kjo shoqatë ofron edhe avokatë falas për seancat gjyqësore ku shqyrtohen kërkesat e azilkërkuesve.

“Ndyshimet në ligjin për azil në Maqedoni kanë filluar të praktikohen në fillim të këtij viti. Në mënyrë konstruktive në puntorinë e mbajtur kemi shqyrtuar nenet për të cilat kemi vlerësuar se është tejet e rëndësishme të harmonizohen me direktivat e Bashkimit Evropian, por njëherësh edhe implementimi i tyre në praktikë”, thotë Zdravkova.

"Qëllimi ynë si organizatë joqeveritare është dhënia e kontributit për ndërtimin e një sistemi efikas për azil, i cili do të mundësojë dhënjen e mbrojtjes juridike atyre personave, të cilët me të vërtetë kanë nevojë për të fituar statusin e azilit", shton ajo.

Nga UNCHR thonë se ligji për azil dhe mbrojtje të përkohëshme funsionon mirë në Maqedoni falë harmonizimit të tij me konventën ndërkombëtare për mbrojtjen e refugjatëve të vitit 1951 dhe protokollin e vitit 1967. Njëherësh ligji për azil në Maqedoni është i harmonizuar edhe me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian. Sipas Mohammad Arif në vitin 2013 Komisioni Evropjan ka bërë një sërë ndryshimesh në këto direktiva dhe për këtë arsye këto ndyshime duhet të inkorporohen edhe në ligjin për azil në Maqedoni, meqë ky vend synon anëtarësimin në BE.