1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Kronika e një krimi të planifikuar gjatë

Ajo që ka ndodhur dje në Shkup i ka befasuar vetëm ata që nuk e njohin situatën. Sulmi në Parlament është një përpjekje e vazhdueshme e disa forcave për të rrënuar demokracinë.

Futja e djeshme me dhunë në Parlamentin e Maqedonisë ka pasur vetëm një qëllim: që ish-kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski dhe klika e tij nacionaliste e VMRO-DPMNE të mbeten në pushtet pavarësisht çmimit që duhet paguar. Kjo parti i ka fituar zgjedhejet e parakoshme në dhjetor të vitit 2016, por ajo nuk ka mundur të krijojë shumicën parlamentare për krijimin e qeverisë. Shumicën e ka krijuar lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev, së bashku me partitë e shqiptarëve. Partitë shqiptare e kanë refuzuar kërkesën e Gruevskit për bashkëpunim, për shkak të deklaratave të tij nacionaliste dhe ngulfatjes së demokracisë.

Pas humbjes së shumicës në Parlament, Gruevski dhe partia e tij e kanë bllokuar punën e Parlamentit dhe krijimin e qeverisë për një kohë të gjatë. Në këtë rrugë kanë mbështetjen e fuqishme të Presidentit të shteti Gjorgje Ivanov.

Zgjedhja dje e Kryetarit të ri të parlamentit u kundërshtua me dhunë nga mbështetësit e Gruevskit. Qindra njerëz nën komandën e drejtpërdrejtë të VMRO-DPMNE u futën me dhunë në Parlament. Disa prej tyre me maska të zeza dhe të armatosur me armë zjarri dhe armë të ftohta. Policia e cila është nën kontrollin e plotë të Gruevskit, jo vetëm që nuk i pengoi, por i përshëndeti dhunuesit. Njësitet speciale kanë ardhur vetëm dy orë më vonë dhe kanë shpëtuar deputetë dhe gazetarë që po mbaheshin të bllokuar në godinën e Parlamentit.

Objektivi kryesor i sulmuesve ishin deputetët e shumicës së re parlamentare, por janë sulmuar edhe gazetarë. Bilanci përfundimtar prej më shumë se 100 të plagosurve, ndër ta edhe shumë deputetë, flet për nivelin shumë të lartë të gatishmërisë për dhunë.

Krimi është planifikuar dhe organizuar nga VMRO-DPMNE dhe Gruevski. Nuk ka qenë spontan apo i rastësishëm. Humbja e pushtetit për Gruevskin dhe klikën e tij do të thotë një mundësi shumë e madhe që të përfundojnë në burg dhe të mbeten pas hekurave me vite të tëra. Shërbimet sekrete i kanë përgjuar qytetarët me vite, zgjedhjet janë manipuluar, ndërsa shumë prej tyre janë përfshirë në korrupsion. Gruevski është akuzuar nga Prokuroria Speciale për shumë raste të keqpërdorimit të pushtetit dhe për dhunë.

Gruevski dhe partia e tij po përpiqen prej muajsh të provokojnë konflikte ndëretnike. Ata po bëjnë një fushatë të qëllimshme kundër shqiptarëve dhe "tradhtarëve" në këtë vend. Ata mendojnë se destabilizimi i vendit do t'ia mundësonte Gruevskit amnistinë në negociatat me përfaqësuesit ndërkombëtarë, për krimet që i ka bërë gjatë pushtetit 10-vjeçar. Nëse kjo dështon, ai do të aktivizonte skenarin rezervë, që presidenti Ivanov të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të stopojë demokracinë edhe ashtu të dobët në Maqedoni.

Pas ngjarjeve të përgjakshme të 27 prillit, nga Gruevski dhe Ivanovi mund të priten të gjitha dhe nuk të befason asgjë. Do të ishte mirë sikur BE dhe vendet udhëheqëse si Gjermania të deklarohen bindshëm në anën e demokracisë në Maqedoni. Gruevski është shembulli më i mirë për politikën e gabuar të Brukselit ndaj Ballkanit, ku në vend të mbështetjes së forcave liberale dhe politikanëve demokratë, me vite të tëra është mbështetur Gruevski, sipas motos "stabiliteti para demokracisë“. Tani Brukselit kjo po i kthehet si bumerang. Çmimi është humbja e demokracisë - dhe stabilitetit.