1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedoni: Cili do të jetë fati i votuesve kontestues?

Drejtuesit e partive politike në Maqedoni po shqyrtojnë mundësinë e organizimit të zgjedhjeve parlamentare më 11 dhjetor, ndërkohë që KSHZ po zbaton marrëveshjen për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Përfaqësuesit e katër partive politike, nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinos, që po marrin pjesë në harmonizimin e qëndrimeve ndërpartiake kanë deklaruar se takimet po rrjedhin në një atmosferë konstruktive. Deri më 31 gusht drejtuesit e partive do të duhej që bashkarisht të konstatojnë nëse janë përmbushur të gjitha kushtet që të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor. Pasi Parlamenti miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me të cilat parashihet pastrimi i listës zgjedhore respektivisht fati i 40 mijë votuesve të kontestuar nga opozita maqedonase, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka nisur me zbatimin e marrëveshjes për përgatitjen e terrenit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Në faqen zyrtare të këtij institucioni duhet të publikohen emrat e rreth 40 mijë votuesve, shtetas të Maqedonisë, identiteti i të cilëve ishte kontestuar. Ata gjatë 25 ditëve të ardhshme duhet të paraqesin dëshmi mbi identitetin e tyre, në të kundërtën pas këtij afati humbin të drejtën e votës. KSHZ-ja do të përgatisë udhëzues dhe formularë për regjistrim, kurse në faqen zyrtare të saj do të publikojë thirrje publike. Kjo thirrje, do të shpërndahet edhe nëpër të gjitha përfaqësitë konsulare diplomatike, me qëllim që shtetasit e Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit të njoftohen me këtë mundësi të paraqitjes në listat zgjedhore

“Është fakt se personat të cilët nuk do të paraqiten në afatin kohor prej 25 ditëve, nuk do të regjistrohen në listën zgjedhore, mirëpo këta persona kanë edhe një mundësi tjetër, pra pasi të shpallen zgjedhjet dhe të paraqitet lista në shqyrtim publik, ata kanë mundësi të regjistrohen”, thotë nënkryetari i Komisionit Shetëror Zgjedhor Rexhep Prekopuca. Përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Todorov konfirmon se shumica e votuesve që janë në listën kontestuese janë shqiptarë dhe sipas tij, janë votues në njësisë zgjedhore numër 6.

Anti-Regierungsproteste in Skopje Mazedonien.

Prej muajsh janë zhvilluar protesta kundër qeverisë në Maqedoni

Fshirja e mërgatës nga lista zgjedhore mëkat politik

Lëvizja Besa, ka akuzuar subjektin politik shqiptar në pushtet, BDI, se ajo është fajtori që të rrezikohet vota e mërgatës shqiptare. Kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, thotë se duhet të respektohet Kushtetuta dhe të mos lejohet privimi nga e drejta e votës për qytetarët shqiptarë që gjenden në mërgim. “Cili do jetë hapi i radhës me diasporën shqiptare? Do t'iu merret nënshtetësia dhe do t'u konfiskohet prona dhe do të kenë fatin e shqiptarëve në Çamëri. Për këtë do të duhet të përgjigjen liderët politik, të cilët i thonë vetes udhëheqës të subjekteve politike shqiptare”, vlerëson Zijadin Sela, kryetar i LR-PDSH-së.

Pavle Trajanov kryetar i Lidhjes Demokratike ngre shumë dilema, në veçanti atë se ku mbetën qindra mijëra votuesit fiktiv, për të cilët partitë akuzonin njëra-tjetrën vite me radhë. “Në vend se të ulet numri i votuesve, ne me marrëveshjen e re kemi një listë edhe më të madhe në numër të listës së votuesve. Ne tani kemi më shumë se 1 milion e 800 mijë votues, kurse numri i popullatës është pak më shumë se 2 milionë. Kjo nënkupton se procesi i verifikimit të listës as që ka filluar”, thotë Pavle Trajanov.

Pa operacion statistikor nuk mund të zgjidhet problemi

Problemet me listën zgjedhore janë edhe pasojë e mungesës së regjistrimit të popullsisë. Abdylmenaf Bexheti, ish-nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Regjistrimit thotë se pa një operacion statistikor nuk mund të paramendohet zgjidhja e problemit. Sipas tij, zgjidhja që ofrohet mund të ndihmoj procesin, por jo edhe ta mbyllë. “Kushtëzimi i të drejtës së votës me paraqitje është një hap drejt përjashtimit përfundimtar. Zgjidhje e vetme përfundimtare e këtij problemi qëndron në regjistrimin e popullsisë. Çdo pastrim tjetër me sistemin e kryqëzimit të të dhënave të institucioneve relevante, është vetëm se një proces që mund të ndihmojë problemet me listën zgjedhore, një katrahurë që edhe vet ata që punojnë nuk e kanë të qartë”, thotë Bexheti.

Darko Aleksov nga asociacioni MOST, që ka monitoruar dhjetëra cikle zgjedhore në Maqedoni thotë se për të pasur një listë të besueshme të votuesve më kryesorja është që anëtarët e Komisionit Zgjedhor duhet të shmangin interesat e partive që përfaqësojnë dhe të gjitha problemet që detektohen në regjistrin zgjedhor të trajtohen seriozisht. “Përderisa nuk arrihet një koncept që lista e votuesve të trajtohet si operacion statistikor, matematikor dhe demografik dhe në asnjë mënyre nuk do të trajtohet si lojë e skenës politike në Maqedoni regjistri votues nuk do të jetë i besueshëm dhe kjo rrënon dhe besueshmërinë e proceseve zgjedhore”, thekson Aleksov.

Xhabir Deralla nga lëvizja qytetare CIVIL konsideron se me marrëveshjen e arritur politike është bërë një hap i vogël pozitiv, por i pa mjaftueshëm që të kthehet besimi i qytetarëve tek lista e votuesve. “Ne si sektor civil do të ndihmojmë pavarësisht kritikave të shumta që marrim nga institucionet shtetërore, megjithatë përmes angazhimit të sektorit civil dhe një transparence të plotë nga ana e KSHZ-së mund të shënohen përparime të dukshme”, thotë Xhabir Deralla nga CIVIL. Lista e votuesve ka qenë në shënjestër të kritikave për disa procese zgjedhore në Maqedoni.