1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Anëtarësimi në BE dhe emri mund të kryhen paralelisht

2 Dhjetor 2011

Autoritetet më të larta politike të Maqedonisë shpresojnë që në samitin e dhjetorit të BE-së Maqedonisë t`i caktohet data për fillimin e negociatave për anëtarësim.

https://p.dw.com/p/13LIn
Ministri i punëve të jashtme i Maqedonisë Nikolla Popovski
Ministri i punëve të jashtme i Maqedonisë Nikolla PopovskiFotografi: Petr Stojanovski

Në prag të samitit të dhjetorit të BE-së, ministri i punëve të jashtme i Maqedonisë Nikolla Popovski, u ka dërguar letër homologëve të vendeve anëtare të BE-së në të cilën kërkon që në samitin e BE-së, Maqedonisë t`i caktohet data për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Sipas Popovskit, BE duhet të rikthejë metodologjinë e vjetër me të cilën Maqedonisë do t`i mundësohej fillimi i negociatave për anëtarësim ndërsa paralelisht do të zhvillohej procesi i zgjidhjes së kontestit për emrin me Greqinë.

“Ne kemi argumente të mjaftueshme se pse Maqedonia duhet të marrë caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Kjo do të jetë në të mirë të tërë rajonit, sepse dërgohet një mesazh i qartë se bisedimet çojnë drejt anëtarësimit në BE”, shprehet ministri Popovski.

Prof.Dr. Mersel Bilalli
Prof.Dr. Mersel BilalliFotografi: Fatos Musliu

Edhe kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, i ka dërguar letër të hapur homologut grek Papadhimos, në të cilën kërkohet nga Greqia të përkrahë fillimin e negociatave midis Maqedonisë dhe BE-së për anëtarësim pa zgjidhjen e çështjes së emrit. Kërkesat përmes letrave nuk do t`i sjellin Maqedonisë caktimin e datës për fillimin e bisedimeve, vlerësojnë analistët vendas. Obsioni fillimi i bisedimeve për anëtarësim pa zgjidhjen e çështjes së emrit si dy procese paralele është i pamundur thotë Nano Ruzhin. “Adresa e këtyre letrave është e gabuar, zgjidhjen e çështjes së emrit duhet ta zgjidhin Athina dhe Shkupi, e jo Brukseli,” thotë ai.

Profesori univeristar Denko Malevski, nuk është optimist se në samitin e dhjetorit të BE-së Maqedonia do të fitojë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Kërkesat e Shkupit për zhvillimin e procesit paralel të negociatave për anëtarësim dhe zgjidhjes së çështjes së emrit janë të parealizueshme.

“Kërkesat e Shkupit më shumë i ngjajnë një loje diplomatike sesa kërkesave serioze. Është tejet optimiste të pritet që qeveria greke të merret në këtë periudhë me çështjen e emrit kur dihet se Greqia po përjeton momente dramatike ekonomike”, thotë Malevski.

Për analistin Mersel Bilalli, letrat e dërguara Brukselit dhe Athinës janë jo serioze dhe për konsumim të brendshëm. “Ato vetëm mund të jenë objekt i çështjeve komike në Bruksel pasi problemi i cili dy dekada nuk mund të zgjidhet , nuk mund të zgjidhet as përmes letrave , kjo është më se qesharake. Jam i bindur se ato probleme zgjidhen vetëm në tryezë , me një trajtim serioz me prezencën e faktorit të jashtëm”, shprehet analisti Mersel Bilalli.

Imazh simbolik
Imazh simbolikFotografi: picture-alliance/dpa

Sipas profesoreshës universitare Ellena Andreevska, vendimet në institucionet evropiane sillen në bazë të rezultateve të arritura e jo në bazë të kërkesave në letër.

“Marrja e datës për fillimin e bisedimeve varet nga të arriturat e shtetit në realizimin e reformave, Maqedonia ka ende punë për t`i realizuar kërkesat që i janë parastruar nga BE”, vlerëson Andreevska.

Pritjet e autoriteteve të Shkupit se në samitin e dhjetorit të BE-së, Maqedonia do të mund të marrë datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim për analistët politik është një optimizëm i tepruar.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama