1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mali u intereson të gjithëve!

Ute Schaeffer18 Janar 2013

Instruktorë ushtarakë evropianë mbështesin ushtrinë e Malit, Gjermania dërgon dy avionë transporti në Mali. Por ne nuk do t'i shpëtojmë dot një angazhimi më të madh, mendon kryeredaktorja e DW, Ute Schaeffer

https://p.dw.com/p/17Mbj

Më në fund, dakordimi evropian u arrit: 250 instruktorë do të shkollojnë ushtrinë e Malit dhe do ta aftësojnë atë në luftën kundër islamistëve në vend. Evropës iu deshën muaj për këtë vendim - në një kohë kur islamistët me sherihatin në valixhe përhapnin frikë dhe tmerr në fshatrat e veriut të Malit. Vrasje, gjymtime, tortura, ekzekutime, përdhunime dhe plaçkitje - të gjitha këto u desh t'i durojnë muajt e fundit njerëzit në këto rajone. Në një vend tolerant, që konsiderohej vend model i zhvillimeve demokratike. Dhunë, e cila nuk mund të merrte më si përgjigje vetëm politikën. Francezët e kuptuan këtë dhe vepruan, në një kohë që pjesa që mbeti e Evropës ende merrej me proceset e bashkërendimit dhe me veten. Dhe: opinioni publik francez e mbështet, pa mëdyshje, këtë mision të përkrahur nga OKB dhe fqinjët evropianë!

Ute Schaeffer, kryeredaktore e DW
Ute Schaeffer, kryeredaktore e DWFotografi: DW/P. Henriksen

Mali nuk është një shtet çfarëdo në shkretëtirë

Po Gjermania? Në vitin e zgjedhjeve parlamentare për Bundestagun, politika do të preferonte t'i bënte bisht kësaj teme. Ekziston droja se do të shpërthejë një debat i gjerë në medie, në opinionin publik gjerman. Edhe për këtë arsye tregohet e përmbajtur Gjermania, dhe dërgon deri tani vetëm dy avionë transporti. Një angazhim më i gjerë duhet të marrë aprovimin e Bundestagut - dhe më e vonta atëherë kjo do të ishte një temë për mediet dhe njerëzit në Gjermani. Nga ana tjetër: ndoshta ky debat është i pashmangshëm. Ndoshta ne duhet ta zhvillojmë atë më me guxim këtu. Gati një çerek shekulli pas ribashkimit të Gjermanisë, në një kohë konfliktesh asimetrike me pasoja globale, ndaj Gjermanisë shtrohen kërkesa të politikës së sigurisë edhe nga Afrika. Por gjithmonë kur bëhet fjalë për kontinentin tonë fqinjë, ne e kemi të vështirë. Neve na mungojnë informacionet. Në raportimet e medieve gjermane, Mali mbetet në nivelin e një shteti çfarëdo në Sahel. Por ky vend ka potencialin që të shndërrohet në fuçi baruti shpërthyese për rajonin. Po të shpërbëhet Mali, Saheli do të ndodhet në flakë. Dhe me këtë, nga flakët do të jetë i përfshirë një rajon, i cili edhe në Gjermani duhet të perceptohet si një rajon në fqinjësi të drejtpërdrejtë. Si një nga vendet me sipërfaqe më të gjerë, Mali ka kufij me shtatë vende fqinjë, prej të cilave një numër i madh duhen parë si shtete të brishta e në përballje me probleme të ngjashme: varfëri, mungesë institucionesh shtetërore, grupe terroriste, kriminalitet i organizuar. Dy gjëra duhet të fiksohen: rreziqet e një angazhimi janë të mëdha, kjo vlen para së gjithash për angazhimin e trupave tokësore të forcave të armatosura franceze dhe për 3300 ushtarët e bashkësisë afrikanoveriore të shteteve. Por rreziqet që lindin, po të mos veprohet me vendosmëri tani, janë edhe më serioze: këtë e tregon marrja e pengjeve në një fushë ku nxirret gaz në Algjerinë jugore, e cila me sa duket ka të bëjë me terroristët e Al Kaidës në Magrebin Islamik, të cilët kërkojnë fundin e misionit ushtarak francez.

Pozicioni i pritjes është zgjidhja më e keqe

A do të presë Evropa që Mali tolerant të kthehet në një shtet islamik? A besohet ndershmërisht, që me pritje, ngurrime dhe kthimin e kokës mënjanë, problemi do të zgjidhet? Politikanët që merren me politikën e jashtme në Evropë dhe shërbimet e fshehta të huaja e dinë më mirë: në Afrikë mund të krijohet në plan afatmesëm një brez terrorist islamik, i cili të shtrihet prej Algjerisë jugore dhe Mauretanisë, nga Mali dhe Nigeria deri në Nigerinë veriore. Deri tani, trupat e atjeshme nuk veprojnë nën një çati të përbashkët, deri tani ato janë pak të ndërthurrura me njëra -tjetrën. Por kjo mund të ndryshojë, po t'u lësh hapësirë atyre: ajo që ka rëndësi tani është që atyre t'u eleminohen mundësitë për t'u tërhequr, që të ndërpriten lidhjet e tyre me njëra-tjetrën dhe burimet e të ardhurave. Pikërisht kjo mund të arrihet tani me ndërhyrjen ushtarake. Mali u intereson të gjithëve, ai nuk është problem afrikan!

Një angazhim i guximshëm dhe i vazhdueshëm, që mundëson siguri për njerëzit, që pengon katastrofat humanitare dhe vendos pastaj normalitetin politik është i nevojshëm. Përndryshe ekziston rreziku, që grupet terroriste në Sahel të lidhen me rrymat radikale islamike në bregdetin lindor të kontinentit, në Kepin e Afrikës dhe në Kenia - me pasoja shkatërrimtare për Evropën dhe sigurinë globale.