1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mal i Zi: konfiskohen pasuritë e bandave kriminale dhe të familjeve të tyre

16 Gusht 2011

Autoritetet malazeze kanë nisur me zbatimin e ligjit penal, të miratuar një vit më parë. Ato kanë nisur edhe aksionin e konfiskimit të pasurive të shefave të bandave kriminale dhe anëtarëve të familjeve të tyre...

https://p.dw.com/p/12Gue
Foto simbolike e arrestimeve.
Arrestime...Fotografi: Fotolia/Gina Sanders

Ligji i ri penal është miratuar para një viti dhe ka nisur të aplikohet vetëm pas kritikave të shumta të qarqeve perëndimore, për mungesë lufte të mirëfilltë kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në Mal të Zi. Për të ndihmuar autoritetet malazeze, në Podgoricë kanë ardhur edhe ekspertë amerikanë për luftë kundër drogës. Kjo bëri që të ngrihet edhe aktpadia e parë kundër bosit të heroinës Safet Kaliq dhe bashkëshortes dhe vëllaut të tij. Ndërkohë që aktpadia është ngritur edhe kundër Dushko Shariqit, vëllait të bosit të kokainës Darko Shariq, si dhe partnerit të tij afarist Jovica Lonçar. Ata dyshohen për larjen e parave të pista në vlerë prej rreth 30 milionë euro të fituara nga shitja e drogës.

Pasuria e kriminelëve më shumë se 100 milionë euro

Harta e Malit të Zi.
Mali i Zi - ngjyrë ari, por tepër kriminelë.

Por pasuria e tyre në Mal të Zi llogaritet me më shumë se 100 milionë euro. Ata kanë me qindra hektarë tokë, objekte afariste, objekte banimi, hotele dhe diskoteka shumë të bukura dhe aksione në sipërmarrjet e shtetit. Për pasurinë e konfiskuar të klaneve Shariq dhe Kaliq do të kujdeset tani drejtoria për pasurinë shtetërore në Mal të Zi, respektivisht ekipet e specializuara që merren me këto punë.

Ish ministri i Drejtësisë në Mal të Zi Dragan Shoq thotë se procedura e konfiskimit të pasurisë do të zgjasë me muaj të tërë, sepse gjykatat duhet të dëshmojnë se kjo pasuri me të vërtetë është arritur përmes aktiviteteve kriminale dhe punëve të pista. Për Deutsche Wellen ai thotë se është shumë me rëndësi që ligji të aplikohet edhe ndaj anëtarëve të familjeve të kriminelëve.

„Masat tani po aplikohen ndaj shumë personave. Duhet shikuar se çfarë ka bërë Serbia kur është në pyetje pasuria e Shariqëve, por edhe në rastet e mëparshme", pohon Shoq.

Duhet shikuar përvojat e Serbisë

Millo Gjukanoviq dhe Igor Llukshiq
Millo Gjukanoviq dhe Igor Llukshiq: është i përzier edhe shteti në kriminalitet?Fotografi: picture alliance/dpa

Përvoja e Serbisë ka dëshmuar se për luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar nuk mjafton vetëm dënimi me heqje lirie i kriminelëve dhe anëtarëve të bandave, në qoftë se nuk bëhet konfiskimi i pasurisë së tyre. Organizatat kriminale e shtojnë influencën e tyre ekonomike dhe politike pikërisht përmes parave dhe pasurive. Për shembull, hotelet e Safet Kaliqit, i cili në Mal të Zi deri vonë është trajtuar si një biznismen i shquar, janë hapur prej ministrave në kabinetin qeveritar të Millo Gjukanoviqit. Prej 4 gushtit Kaliqi kërkohet prej Interpolit, ndërkohë që Darko Shariqi kaherë është në listën e të kërkuarve.

Autoritetet e Malit të Zi tani po përpiqen të bindin Brukselin se janë duke luftuar në mënyrë të denjë kriminalitetin, me qëllim që të fillojnë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shefi i Këshillit për buxhet dhe financa në Kuvend, Aleksandar Damjanoviq thotë se Mali i Zi e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë: „Ne nuk duhet të presim që dikush të na shtyjë drejt Evropës. Duhet të shkojmë vet në këtë drejtim. Ne po përpiqemi që këtë ta bëjmë me vepra dhe me sjellje të përgjegjshme ndaj obligimeve që kemi.“

Damjanoviq pohon se vullneti dhe gatishmëria e autoriteteve malazeze më së miri mund të dëshmohen me vazhdimin e luftës kundër bosëve të krimit të organizuar. Tani duhet shikuar aktivitetet e paligjshme që janë bërë në privatizimin e kombinatit të aluminit në Podgoricë dhe fabrikës së metaleve në Nikshiq.

Autor: Mustafa Canka / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti